image Lul Raka: Java e dytë e prillit vendimtare për përhapjen e koronavirusit, rastet do të shtohen

Kosovë

Deklaratë/ Lul Raka: Java e dytë e prillit vendimtare për përhapjen e koronavirusit, rastet do të shtohen

news image

Mikrobiologu Lul Raka thotë se marrë parasysh edhe vendet tjera të prekura me Covid-19, cikli i përhapjes së këtij virusi do të zgjasë deri në dy muaj.

Ai thotë se java e dytë e muajit prill pritet të jetë vendimtare sa i përket situatës pandemike në Kosovë.

Teksa apelon që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, pasi rreziku i përhapjes së koronavirusit do të jetë i madh dhe kapacitetet shëndetësore janë të pamjaftueshme nëse do të ketë shtim të madh të rasteve.

Lul Raka thotë se prej rastit të parë që është paraqitur muajin e kaluar në Kosovë, institucionet kanë pasur mundësi të ndërmarrin masa kundër përhapjes së kësaj pandemie dhe në të njëjtën kohë të pranojnë donacione të materialeve shëndetësore.

Ai konsideron se Kosova krahasuar me vendet e rajonit, ka numrin më të vogël të të infektuarve.

“Nëse e krahasojmë me shtetet e rajonit, dhe nëse e krahasojmë me parashikimet të cilat i kemi pasur, mund të them se situate është sipas parashikimeve, ndoshta pak më e mirë se sa parashikimet. Dhe këtu janë tre parametra të cilët e matin gjendjen aktuale. Ato janë numri i rasteve, që është më i vogli në rajon, e dyta është numri i rasteve të hospitalizuar, e në kuadër të rasteve të hospitalizuar është numri i rasteve që kanë nevojë për kujdes intensive, dhe ky numër është i vogël. Dhe parametri i tretë dhe kryesori është numri i rasteve të vdekjes që është më i ulëti. Momentalisht Kosova qëndron më mirë se shtetet e rajonit, edhe pse disa shtete të rajonit kanë hyrë më herët në këtë cikël”, tha Raka.

Mikrobiologu Raka apelon që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin pa nevojë, pasi në të kundërtën rrezikohet përhapja në masë të madhe të koronavirusit.

“Shtim të rasteve do të ketë, sepse tash ka shtrirje në disa komuna. Dhe tash virusi, respektivisht njerëzit, kontaktet e afërta e rrisin në mënyrë eksponenciale këtë numër. Një i sëmurë mesatarisht e infekton 1-3. Në shtetet e botës i ka infektuar deri katër persona, mesatarisht sepse ky numër mund të ndryshojë. Ditëve në vijim presim rritje. Mandej pas rritjes gradualisht, do të vijë duke rënë intensiteti i shfaqjes së rasteve të reja. por kjo ulje do të jetë graduale”, tha ai.

Marrë parasysh rrezikun e përhapjes së koronavirusit, Raka thotë se këto javë do të kuptohet se sa janë respektuar vendimet dhe masat e marra nga institucionet shëndetësore.

“Këto ditë do të marrim vesh se sa janë respektuar udhëzimet dhe këshillat, të cilat i kanë dhënë institucionet shëndetësore. Por, e keni parë edhe prej shteteve të rajonit, por edhe prej rasteve në vendin tonë, se mjafton vetëm një njeri që të mos i respektojë normat, i cili nuk ka pasur shenja dhe simptome dhe të përhapë sëmundjen në rrethin e vet, familjen dhe komunën e vet. Prandaj këtu një njeri mjafton të hedhë ‘bombën’ virale me virus”, shton Raka.

Ndër të tjera, ai ngrit shqetësimin se në rast se do të ketë shtim të madh të numrit të rasteve, Kosova nuk ka kapacitet të mjaftueshme shëndetësore për të përballuar këtë pandemi.

“Kapaciteti ynë dihet. Më pak se 100 respiratorë janë në sektorin publik. Një pjesë e tyre janë në shfrytëzim nga kujdesi intensiv. Ne kujdesin intensiv nuk mund ta prekim pasi aty ka njerëz që pësojnë aksidente dhe kanë sëmundje të tjera dhe kanë nevojë për kujdes intensiv. Një pjesë e respiratorëve veç janë të zënë. Kjo lakore, ngritja e lehtë iu mundëson dhe e ke luksin për të pritur donacion, sepse në qoftë se nuk ka shumë raste, të jep mundësi dhe rast për furnizim. Dhe ne e shohim tani se në krejt botën është problem furnizimi”, tha Raka.

E bazuar në situatën e shteteve tjera, Raka thotë se cikli i përhapjes së koronavirusit do të zgjas tetë jave. Megjithatë, sipas tij edhe pas kësaj kohe qytetarët duhet të kenë kujdes.

“Prej përvojës së shteteve të tjera, cikli bazik kryesor shkon diku tetë javë, afër dy muaj. Mandej edhe ulja e rasteve, zvogëlimi i rasteve shkon në mënyrë më graduale. Dhe gjithsesi duhet të kemi parasysh që ne nuk duhet të shkojmë prej izolimit drejt në kafe, nuk duhet të pimë kafe menjëherë. Këto lirime në pjesën përfundimtare të epidemisë po ashtu duhet të jenë graduale”, deklaron ai.

Ai bën thirrje për distancë sociale, dhe ndër të tjera thekson higjienën personale që duhet të mbajë secili person, në mënyrë që të shmangë rrezikun për infeksion me Covid-19.

Deri më tani janë regjistruar 140 raste me koronavirus në Kosovë. Prej tyre, 23 janë shëruar, ku gjashtë nga këta janë mbi moshën 60-vjeç. Ndërkaq, ditë më parë është shënuar viktima e parë nga kjo pandemi, i cili ishte në moshën 82-vjeçare./ Gazeta Sinjali/