Luftime të reja shpërthyen midis Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene sot në rajonin kontestues Nagorno-Karabaku, ndërsa të dy palët fajësuan njëra-tjetrën për bllokimin e një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Përplasjet e fundjavës rreth Nagorno-Karabakut, një pjesë e Azerbajxhanit e populluar dhe e kontrolluar nga armenët etnikë, erdhën pasi sekretari i Shtetit, Mike Pompeo priti ministrat e jashtëm të të dyja vendeve në një presion të ri të paqes të premten.
Prishja e dy armëpushimeve të ndërmjetësuara nga Rusia, tashmë e kanë zbehur mundësinë e një fundi të shpejtë të luftimeve që shpërthyen më 27 shtator.
Zyrtarët lokalë në Nagorno-Karabak akuzuan forcat azerbajxhanase për sulme artilerie në zonat e Askeran dhe Martuni gjatë natës, por Azerbajxhani tha se pozicionet e tij ishin sulmuar me armë të vogla, mortaja, tanke.
Presidenti armen, Armen Sarkissian akuzoi Baku si “kokëfortë dhe shkatërrues në mënyrë agresive”.
Ai në komentet e botuara nga agjencia e lajmeve Armenpress, u bëri thirrje “lojtarëve globalë” të ndërhyjnë menjëherë për të arritur një armëpushim.
“Në kontekstin e konfliktit të Nagorno-Karabakut, Rusia është një ndërmjetës i besueshëm dhe pro-aktiv midis palëve në konflikt. Rusia luan një rol vendimtar këtu,” tha ai.
Por, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha se ishte shumë e rrezikshme që Armenia të kërkonte mbështetje ushtarake ruse në konflikt dhe se palët e treta nuk duhet të përfshihen ushtarakisht.
“Unë jam absolutisht i sigurt në efektivitetin e negociatave të paqes, por kjo gjithashtu varet nga vullneti i palës armene. Pse njerëzit e Azerbajxhanit dhe Armenisë mund të jetojnë së bashku në Gjeorgji, Rusi, Ukrainë dhe vende të tjera, por jo në Karabak?”, tha Aliyev në një intervistë për Fox News.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara të ndihmonin Moskën që të zgjidhë konfliktin.
Ministria e Mbrojtjes e Karabakut njoftoi dje se numri i përgjithshëm i armenëve të vrarë në luftime ishte rritur me 36 në 963.
Azerbajxhani thotë se 65 civilë azerbajxhanas janë vrarë dhe 298 të plagosur, por nuk ka bërë të ditur viktimat e tij ushtarake.
Ndryshe, rreth 30.000 njerëz u vranë në luftën e viteve 1991-1994 në Nagorno-Karabak, të cilin armenët e konsiderojnë pjesë të tyre historike, ndërsa azerbajxhanasit e konsiderojnë tokë të okupuar që duhet të kthehet në kontrollin e tyre. /Gazeta Sinjali/