image Lufta për merita pas vendimit të Gjermanisë për patentë shoferët, reagojnë Osmani e Sveçla

Politikë

Lufta për merita pas vendimit të Gjermanisë për patentë shoferët, reagojnë Osmani e Sveçla

news image

Sot në Bundesratin gjerman është përmbyllur një proces tre vjeçar dhe si rezultat, Gjermania tashmë zyrtarisht i njeh patentë shoferët e lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Pas një vendimi të tillë, krerët e institucioneve të vendit kanë pasur reagime të menjëhershme, ku meritat për finalizimin e procesit nuk kanë hezituar t’i marrin disa prej tyre.

Lidhur për këtë ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka thënë se çështjen e patentë-shoferëve e kishte diskutuar gjatë takimit me presidentin e Gjermanisë, Steinmeier, dhe në takimet që ka pasur me ministrin e Jashtëm, Heiko Mass.

Osmani përmes një postimi në Facebook ka shkruar “Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, në takimet me Presidentin Steinmeier, si dhe në takimet me ish- ministrin e punëve të jashtme, z. Maas fillimisht në Prishtinë me 22 prill të vitit të kaluar, e pastaj dhe gjatë qëndrimit tim në Berlin, kjo ishte një prej diskutimeve kryesore, e cila reflektonte edhe një prej brengave kryesore të mërgatës sonë atje”.

Pak minuta më vonë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku ka shkruar se si në çdo takim të mundshëm e ka përmendur çështjen e patentë shoferëve.

“Ky sukses është rezultat i një angazhimi të madh të ekipeve tona, të cilët gjej rastin ti falënderoj për punën e tyre të palodhshme si dhe kërkesa më e shpeshtë e qytetarëve tanë kudo nga Gjermania. Që nga marrja e detyrës kemi punuar intensivisht që ky proces të përfundojë suksesshëm dhe sa më pare”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.

Por procesi për njohjen e patenë-shoferëve ka filluar në vitin 2019, kur Kosova për të parën herë kishte aplikuar për njohjen e lejeve për ngasjen e automjeteve.

Që nga ajo kohë, ministrat e Brendshëm gjatë Qeverisë së Ramush Haradinajt më pas edhe Agim Veliu gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit, kanë zhvilluar takime të shumta në Berlin e Prishtinë me ministra e zyrtarë të qeverisë gjermane në të cilat kërkonin njohjen e patentë-shoferëve të Kosovës nga Gjermania.

Lobim për njohjen e patentë-shoferëve nga Gjermania kishte bërë edhe Meliza Haradinaj-Stublla gjatë kohës sa kishte qenë ministre e Punëve të Jashtme në qeverisjen e Ramush Haradinajt.

Përveç, Osmani dhe Sveçlës reagim ka pasur edhe nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ku ky i fundit e quajtur angazhim afatëgjatë të institucioneve.

“Më vjen mirë që sot u konkretizua angazhimi afatgjatë i institucioneve shtetërore të Kosovës për njohjen e patent-shoferëve të Kosovës nga ana e Gjermanisë. Janë mbajtur shumë diskutime me palën gjermane, janë shkëmbyer vizita dhe të dhëna zyrtare për vite me radhë”, kështu është shprehur ai përmes një postimi në Facebook.

Ndërkaq, këtij lajmi i është gëzuar kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli i cili uroi të gjithë shqiptarët përmes Facebook-ut.

/GazetaSinjali/