image Lufta në Ukrainë hyn në muajin e dytë, a do të bëhet Rusia edhe më brutale? - Përmbledhje javore

Botë

Lufta në Ukrainë hyn në muajin e dytë, a do të bëhet Rusia edhe më brutale? – Përmbledhje javore

news image

Një muaj e dy ditë janë bërë prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi forcat e tij ushtarake të pushtonin Ukrainën. Rusia ka shkaktuar një katastrofë humanitare të paparë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke mos arritur pothuajse asnjë nga objektivat e saj, të cilat supozonte se do i arrijë me lehtësi, raporton Gazeta Sinjali.

Mijëra viktima dhe të plagosur deri tani, në mesin e tyre edhe 136 fëmijë, miliona refugjatë të dyndur rrugëve të Evropës, janë vetëm disa nga faktet të cilat mund të përmbledhin shkurtazi atë se çfarë po ngjanë nga 24 shkurti deri tani në Ukrainën e sulmuar, e cila po përjeton një krizë të vështirë përballë agresionit rus.

21 mars: Pentagoni tha se ka prova të qarta që forcat ruse po kryejnë krime lufte në Ukrainë dhe deklaroi se do të ndihmojë në mbledhjen e dëshmive për këtë gjë.

Rusia e ka pranuar se në luftën në Ukrainë i janë vrarë afër 500 ushtarë, ndërkaq Ukraina pretendoi se ky numër është afër 15 mijë.

Ukraina ka refuzuar një ultimatum rus për t’u dorëzuar në Mariupol.

Iryna Vereshchuk, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, ka refuzuar thirrjen ruse që forcat ukrainase në Mariupol të dorëzojnë armët.

Dhjetë milionë njerëz, më shumë se një e katërta e popullsisë, ishin larguar nga shtëpitë e tyre në Ukrainë për shkak të luftës “shkatërruese” të Rusisë.

Sipas asaj që shkruante The Guardian, këshilli i qytetit të Mariupolit kishte thënë se Rusia bombardoi një shkollë arti ku ishin strehuar 400 civilë, përfshirë fëmijë.

22 mars: Biden tha se pretendimet e vazhdueshme të Putinit se Ukraina ka armë kimike dhe biologjike janë një “shenjë e qartë se ai po konsideron përdorimin e të dyjave”.

Forcat ruse kishin rrëmbyer 2,389 fëmijë nga territoret e kontrolluara nga Rusia të Luhansk dhe Donetsk.

Rusët nga brenda rrethuan Mariupolin dhe 300 mijë njerëzve në Kherson thuhet se po u mungonte ushqimi.

23 mars: Ministri ukrainas i shëndetësisë, Viktor Lyashko, tha se 10 spitale ishin shkatërruar plotësisht që nga pushtimi i Rusisë. Spitalet e tjera nuk mund të mbusheshin me ilaçe dhe furnizime për shkak të luftimeve aty pranë, shtoi ministri.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë kanë vlerësuar nëse Rusia duhet të mbetet brenda grupimit të ekonomive kryesore të Grupit të Njëzet (G20) pas pushtimit të saj në Ukrainë, i thanë Reuters të martën burime të përfshira në diskutime.

Lufta në Ukrainë ka vrarë 121 fëmijë deri më 23 mars, tha zyra e prokurorit të përgjithshëm të mërkurën në një mesazh në Telegram, duke shtuar se numri i fëmijëve të plagosur ishte 167.

Julia Romantschenko lowers her head to bid farewell to her grandfather, Boris Romantschenko, in Kharkiv, Ukraine.

24 mars: Forcat ruse janë akuzuar se kanë marrë peng njerëzit e qytetit të rrethuar ukrainas të Chernihiv, pasi zyrtarët lokalë vendosën racionimin e ujit të pijshëm për civilët e bllokuar.

Mediat norvegjeze raportuan se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të zgjasë mandatin e tij në detyrë edhe me një vit për shkak të luftës në Ukrainë.

Shtatë korridore humanitare për evakuimin e civilëve nga qytetet e Ukrainës janë rënë dakord për të enjten, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.

25 mars: Rusia dhe Ukraina shkëmbyen të burgosur në shkëmbimin e parë të ushtarëve që nga pushtimi; 400 mijë civilë u dërguan me forcë në Rusi.

Biden në adresimin për ushtarët në Poloni, përmendi djalin e tij që shërbeu në Kosovë.

Forcat ukrainase janë përforcuar nga shkatërrimi i anijes zbarkuese ruse pasi ajo solli furnizime për trupat e saj. Fotot dramatike treguan zjarr dhe tym të zi që dilte nga anija ndërsa ajo u ankorua në Berdyansk në Detin Azov pasi u godit nga raketat balistike ukrainase.

Dozens of volunteers pack sandbags and stack them around the Taras Shevchenko Monument in Kharkiv.

26 mars: Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka vizituar qytetin polak të Rzeszów, rreth një orë me makinë nga kufiri ukrainas, në shenjë mbështetjeje për shtetet e Evropës Lindore që po shohin agresionin rus duke bërë kërdi në lagjen e tyre.

Autoritetet në Mariupol kanë thënë se rreth 300 njerëz u vranë në një bombardim rus në një teatër javën e kaluar, duke vendosur një numër të vdekjeve për herë të parë në sulmin më vdekjeprurës që nga fillimi i pushtimit të saj nga Moska.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se faza e parë e operacionit të saj ushtarak ishte “përgjithësisht” e përfunduar.

Gjenerali tjetër rus Yakov Rezantsev u vra në Ukrainë.

Presidenti Biden e Sekretari Blinken janë takuar me ministrat ukrainas.

Por ku po shkon kjo luftë? Më poshtë gjeni 5 parashikime që mendohet se mund të ndodhin në javët në vazhdim në konfliktin e armatosur që ka vënë në lëvizje gjithë Perëndimin…

1. Rusia mund të intensifikojë fushatën e saj bombarduese

Lufta njëmujore e Rusisë kundër Ukrainës ka vrarë mijëra njerëz, ka zhvendosur miliona refugjatë dhe ka shkatërruar qytete, por forcat e saj të armatosura mbeten kryesisht të frustruara nga rezistenca e ashpër ukrainase, pa fund të konfliktit.

Ekspertët paralajmërojnë se sa më shumë të hasë në rezistencën ukrainase, aq më shumë do t’i shtojë bombardimet Rusia. Gjithashtu parashikohet shtimi i armëve me rreze të gjerë, të cilat vënë më pak në rrezik forcat ruse.

Deri më tani, informacionet lidhur me numrin e viktimave mes radhëve të Moskës, janë ende të turbullta. Një tabloid në Rusi raportoi vetëm pak ditë më parë, se Putin kishte humbur rreth 10,000 ushtarë, ndërsa 16,000 të tjerë ishin plagosur.

Pak orë më vonë, “Komsomolskaya Pravda” i hoqi fare këto shifra, duke pretenduar se website ishte hakuar. Ajo që bëri përshtypje, ishte fakti se shifrat e publikuara nga tabloidi rus, ishin shumë të përafërta me ato që  janë konfirmuar edhe nga agjencitë e inteligjencës amerikane.

Ndërkohë në Mykolaiv, autoritetet lokale vijojnë të kërkojnë ndihmë lidhur me atë që do të ndodhë me qindra kufoma ruse, të lëna pas nga batalionet, që me rritjen e temperaturave, vijojnë të bëhen edhe më të rrezikshme për banorët e zonës.

Humbje të tilla do të shpjegonin edhe shkaqet pse pala ruse ka ngecur dhe nuk avancon dot në fushë-betejën ukrainase, por edhe arsyen pse numri i bombardimeve është rritur ndjeshëm, si një nga format e vetme për të mos humbur më trupa.

“Pavarësisht se deri tani ofensiva ka ngecur, Rusia ka ende rezerva dhe do të intensifikojë sulmet me raketa”, është shprehur për CNN, Jeffrey Mankoff, studiues në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në SHBA.

2. Ndërsa fokusi është në Kiev, Rusia mund të përpiqet të rrethojë luftëtarët ukrainas në lindje

Edhe pse në të gjithë botën përflitet për një ngadalësim të ofensivës ruse, në fakt gjithçka mbetet në kuadrin e një interpretimi, pasi synimet e vërteta të Moskës, janë një mister për Perëndimin. Edhe pse në deklaratat zyrtare, Rusia pohon se gjithçka që kërkon të bëjë është “demilitarizimi i Ukrainës”, sulmet mbi civilë kanë provuar tashmë se “operacioni special” i Putinit, është shumë më shumë se aq.

Aktualisht, ka shumë mundësi, që ndërsa e gjithë rezistenca ukrainase është përqendruar në Kiev, trupat ruse të sulmojnë pjesë të Ukrainës Lindore.

Zonat si Donetsk dhe Luhansk, të cilat përbëjnë rajonin e Donbasit, janë kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014, vit kur Rusia aneksoi Krimenë. Tashmë duket se ambiciet e Rusisë mund të shtrihen përtej Donbasit.

“Trupat më të mira të ushtrisë ruse janë pozicionuar në Donetsk, Luhansk, Mariupol, Berdyansk, Melitopol. Ata janë stërvitur për të luftuar NATO-n, ndaj do të përfitojnë nga vëmendja e ukrainasve në Kiev, për të realizuar pushtimet që duan në këto zona”, shprehet Cranny-Evans, analist kërkimor në Institutin Mbretëror të Shërbimeve.

3. Do të flitet më shumë për negociatat mes palëve

Një nga skenarët e përfolur mes ekspertëve, është edhe ai se lufta në Ukrainë, mund të kthehet në një konflikt të zgjatur në kohë. Aktualisht negociatat mes palëve, janë e vetmja mundësi për paqe, ndaj pritet që të ketë edhe më shumë diskutime, lidhur me takimet mes delegacioneve.

Ndërkohë që flasim, negociatat janë i vetmi aspekt pozitiv nga lufta, kjo pasi të dyja palët, janë shprehur se gjërat po shkojnë në një pikë zgjidhjeje, në vend se të këmbëngulin me kokëfortësi në kushtet e tyre”, thotë Keir Giles, ekspert rus në institutin e mendimit “Chatham House”.

Por zyrtarët amerikanë nuk janë aq optimistë se bisedimet do të shkojnë mirë. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha në një konferencë shtypi javën e kaluar, se shanset për një zgjidhje nëpërmjet diplomacisë, janë shumë të pakta. Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia do të përshkallëzonte luftën duke përdorur armë kimike.

4. Mund të ketë “depërtime” me shumicë të ukrainasve në Rusi

Gjatë kohës që në Mariupol nisën bombardimet, forcat ruse hapën disa korridore humanitare për të lejuar civilët të largohen, por mijëra prej tyre u transportuan drejt Rusisë. I njëjti skenar pritet të përdoret edhe në vazhdim.

Mediat shtetërore në Rusi kanë raportuar se rreth 60,000 banorë të Mariupolit, kishin mbërritur në territorin rus “në siguri të plotë” fill pas bombardimeve në Mariupol. Në pamjet e publikuara në këto media, dukeshin radhë të tëra automjetesh, të cilat kalonin kufirin. Por autoritetet në Mariupol kanë akuzuar Rusinë, se banorët shkuan atje të detyruar dhe jo me vullnetin e tyre.

Kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boichenko, deklaroi se “ajo që pushtuesit po bëjnë sot, është një formë moderne e një teknike të vjetër, e përdorur dikur edhe nga nazistët”. Giles tha se në Ukrainë, qytetarët janë të shqetësuar se historia do të ripërsëritet në javët e ardhshme.

5. Miliona të tjerë ukrainas mund të ikin, duke lënë pas një komb të shkatërruar

Deri më tani, sipas OKB-së, rreth 3.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre, në tentativë për t’i shpëtuar sulmeve ruse. Më së shumti gra dhe fëmijë, ky numër pritet të shumëfishohet me kalimin e javëve.

Duke marrë parasysh historinë nga luftërat në të kaluarën, shpesh refugjatët e konflikteve të armatosura, nuk kthehen më në vendin e tyre. Mjafton edhe frika nga kërcënimi i një lufte tjetër, për t’i mbajtur ata larg tokës së tyre.

Ndaj edhe ky është një shqetësim i madh. Sepse edhe nëse do të gjendet një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund kësaj lufte, numri i të larguarve do të jetë aq i lartë, saqë Ukraina nuk do të jetë më kurrë e njëjta.

/GazetaSinjali/