image “Lufta” mes VIP-ave të Instagramit në Shqipëri: Një postim shkon deri në 3500 euro

Bota e Yjeve

“Lufta” mes VIP-ave të Instagramit në Shqipëri: Një postim shkon deri në 3500 euro

news image

Dy dekada më parë, kur pyesje fëmijët se çfarë donin të bëheshin kur të rriteshin, do të prisnit disa nga përgjigjet klasike si “astronaut”, “mësuese”, “balerinë”, “doktor”, etj. Në ditët e sotme, shumë përgjigje do të vërviten rreth yjeve të mediave sociale: Dua të bëhem si…

Sipas një studimi botëror nga MediaKix, rreth një e treta e fëmijëve dhe adoleshentëve aspirojnë të jenë YouTuber të njohur një ditë. Për më tepër, një sondazh i kryer nga “Bloomberg” tregoi se 86% e të rinjve në Amerikë do të donin të ishin influencues të mediave sociale. Nuk mbetet pas as Shqipëria.

Megjithëse ky numër në rritje na duket i çuditshëm, ka një arsye të mirë për të: rritja e platformave të mediave sociale si YouTube, TikTok dhe Instagram. Ndërsa këto platforma u rritën në madhësi, njerëzit e zakonshëm patën mundësinë të bëheshin personazhe të famshëm dhe ata duhet të ishin krijues duke e bërë këtë.

Dhe përfitimi real erdhi shumë shpejt. Marka, dyqane etj., u vetofruan për të paguar këta njerëz për reklamë dixhitale dhe format janë të shumta, duke nisur nga kleringu.

Madhësia e tregut të platformës globale të marketingut të influencuesve u vlerësua në 10.39 miliardë dollarë në vitin 2021 dhe pritet të arrijë në 14.27 miliardë dollarë në vitin 2022. Kaq mjafton për të kuptuar se çfarë drejtimi po merr ky profesion.

Por si lindi dhe si është tregu aktualisht në Shqipëri?

Duhet të kemi parasysh se influencuesit kanë ekzistuar gjithmonë, edhe para televizionit dhe internetit. Në mesjetë, ata ishin njerëz të pasur dhe mbretër që kishin fuqinë të ndikonin në vendime dhe të ndryshonin botën. Pas revolucionit industrial, ne filluam të shihnim pjesët e para të kulturës moderne pop – njerëz që u bënë të famshëm për atë që bënin dhe për atë që besonin.

Në shekullin e 20-të, filloi epoka e Hollivudit dhe ne pamë krijimin e ikonave si Marilyn Monroe dhe aktori/burri i Marlboro, Christian Haren. Vitet ‘60 dhe ‘70 ishin kohët e yjeve të rock; njerëz që protestuan kundër qeverive, kënduan himne të paharrueshme dhe vdiqën shumë të rinj. Në vitet ’80 dhe ’90, pamë shfaqjen e sportistëve dhe modeleve të superyjeve, pasi Michael Jordan dhe Naomi Campbell morën kulturën pop.

Më pas, arritëm në epokën e “reality TV” ku njerëz si Kim Kardashian dhe Paris Hilton u bënë superyje, për shkak të personalitetit të tyre dhe stilit të jetesës argëtuese. Dhe tani, ne jemi në kohën e ndikuesve (veçanërisht mikro dhe nano-ndikues) ku çdokush mund të bëhet i famshëm dhe të ndikojë te të tjerët. Media e parë sociale që krijoi një lidhje midis markave dhe influencuesve ishte YouTube.

Megjithatë, Instagram i çoi partneritetet në një nivel tjetër dhe e bëri realitet karrierën e një influencuesi për shumë njerëz.

Pasi kompanitë zbuluan se sa i fuqishëm mund të jetë një mjet marketingu Instagram, ata filluan ta përdorin atë gjithnjë e më shpesh, së pari duke krijuar llogaritë e tyre, duke ndarë postimet dhe videot në Instagram, duke nisur fushata reklamash, etj., dhe më pas përmes ndikuesve dhe përmbajtjeve të sponsorizuara. Në ditët e sotme, nëse keni një vend për të cilin krijoni përmbajtje, mund të pozicionoheni si një nano-ndikues dhe potencialisht të filloni të merrni marrëveshje dhe partneritete të markave.

Nëse dikush më pas vendos t’i përkushtohet, duke krijuar më shumë përmbajtje me cilësi të lartë dhe më shumë fokus në punën me algoritmet, numri i ndjekësve të tyre mund të rritet, duke i dhënë më shumë mundësi për marrëveshje markash.

Kjo është mënyra se si shumë influencues të famshëm arritën atje ku janë – ata filluan të bëjnë diçka që e duan (P.sh.: tutorialë make-up, sugjerime për veshje të modës, vlog për tematika të ndryshme etj). Më pas, me njëfarë konsistence, ata fituan ndjekës dhe patën mundësinë të bënin postime të sponsorizuara në Instagram me marka të ndryshme.

Për konsumatorët, influencuesit janë njëkohësisht një reklamë e mirë dhe një mik i besuar. Për ndërmjetësit midis tyre dhe markave, ata janë një mjet i volitshëm. Për pronarët e markave, ata po bëhen një kanal mjaft i rëndësishëm drejt konsumatorëve të rinj, të cilët do të jenë përgjegjës për 70% të shpenzimeve globale në mallrat luksoze, deri në vitin 2025, sipas firmës së konsulencës “Bain”. Pandemia duket se e ka bërë edhe më shumë fitimprurëse industrinë, pasi njerëzit kanë filluar të përdorin më shumë telefonat e tyre smartphone.

Profesion i mirëfilltë..?

Kjo lloj “fame aksidentale” është ndoshta një gjë e së kaluarës. Aktualisht, shumica e njerëzve nuk bëhen rastësisht ndikues; shumë influencues janë njerëz publikë në profesione të ndryshme dhe kjo u jep atyre mundësinë të jenë ende më të njohur. Disa mund të punojnë me një agjenci marketingu, ose kanë përvojë në industri që u jep njohuritë e nevojshme për menaxhimin e mediave sociale në mënyrën më të mirë të mundshme.

Instagram-i i bëri njerëzit të besojnë se mund të fitojnë para nga investimi në platformë dhe kanalizimi i krijimtarisë dhe pasionit të tyre. Tani, njerëzit shohin të njëjtin lloj potenciali në TikTok – mundësinë për t’u bërë një fytyrë e njohur, duke ndarë mendimet tuaja, ose duke u argëtuar. Rritja e Instagram-it, dhe kështu ndikuesit në Instagram, vërtet ndryshuan mënyrën se si njerëzit i shohin karrierat.

Pse njerëzit duan të bëhen ndikues? Siç e përmendëm më parë, shumë të rinj në moshë madhore tani deklarojnë se duan të kenë një karrierë si ndikues dhe është e lehtë të kuptohet pse. Para së gjithash, krijimi i përmbajtjes në internet është argëtues dhe të jep lirinë krijuese.

Shumë njerëz postojnë gjëra në internet pa u paguar ndonjëherë. Për më tepër, stili i jetesës së ndikuesve duket shumë më emocionues sesa të ulesh në një tavolinë dhe të punosh 9:00-5:00 në një zyrë. Ka kaq shumë gjëra pozitive që vijnë nga të qenët ndikues dhe me dixhitalizimin e shpejtë të botës, kjo punë nuk është më thjesht fantazi kalimtare, por një zgjedhje e qëndrueshme karriere.

Si është puna e influencuesit në Shqipëri?

Një kompani i drejtohet një influencuesi dhe duke prezantuar produktin apo shërbimin, njëkohësisht kërkon të dhëna sasiore të personit në fjalë, sa ndjekës ka, sa trafik gjeneron, çfarë fushatash ka bërë më parë dhe çfarë ndikimi ka pasur etj. Nga ana tjetër, influencuesi informohet për kompaninë dhe produktet/shërbimet që ka.

Vendoset çmimi. Në fillim, çmimet bazoheshin në çmimet e reklamave në print, një lloj konvertimi i numrit të kopjeve me numrin e leximeve. Me kalimin e viteve, tregu nisi të maturohej dhe çmimet të unifikoheshin. Megjithatë, ka diferenca në format e fushatave që bëhen dhe kërkesat e vetë kompanive.

Tomi Kallanxhi, drejtues i Big Media Expert, kompani e cila është e fokusuar edhe në marketingun dixhital, pohon për “Monitor” se tregu i influencuesve në Shqipëri është zhvilluar me kalimin e kohës. Në lojë kanë hyrë agjencitë që menaxhojnë komunikimin mes influencuesit dhe kompanive të ndryshme. Sipas tij, me zhvillimin e botës dixhitale, është zhvilluar më tej ky treg.

Kallanxhi pohon se marketingu dixhital ka zënë pjesën më të madhe të tortës së atij tradicional dhe kompanitë janë gjithnjë e më shumë të orientuara drejt kësaj forme marketimi.

Format e bashkëpunimit me personazhe mediatike ose influencues janë kryesisht të strukturuara në formë pakete, që do të thotë ofrohen disa shërbime, duke nisur nga shpërndarje story, postime, reel (format e videove në Instagram) dhe pagesat kanë arritur nga 250 euro për paketë në 3500 euro.

Pagesat, sipas tij, janë në varësi jo të numrit të ndjekësve, por të impressions të llogaritur në periudha mujore, që do të thotë numri i herëve që postet e një influencuesi shfaqen në ekranin para ndjekësve. Sigurisht, kriter i rëndësishëm është edhe kategorizimi i natyrës së produktit me influencuesit: një modele nuk është personi i përshtatshëm për të reklamuar një produkt për bebe.

Situata në Shqipëri

Edhe pse në dukje është një trend i ri, në fakt është një fenomen i vjetër sa vetë bota. Kështu shprehet Suela Gjati, specialiste për marketingun dixhital.

“Të influencosh dikë për zgjedhjet që bën në përditshmëri ka ndodhur që në kohët e lashta, thjesht në ditët e sotme për shkak të dixhitalizimit, individëve që ndikojnë të tjerët i është dhënë hapësirë, zë, figurë, vlerë dhe patjetër shpërblim ekonomik”, – thotë ajo.

Sesi ndikohet masa, ndodh në dy mënyra, shpjegon znj. Gjati.

“E para, njerëzit janë influencuar nga të tjerë njerëz që ndodhen në një pozicion socio-ekonomik më të lartë, për të kënaqur egon dhe për t’u ndier në një nivel më të lartë në shoqëri. Sot, në gjuhën e marketingut ky quhet influencim vertikal.

E dyta, njerëzit ndikohen nga të tjerë njerëz, që janë në të njëjtin nivel socio-ekonomik me ta, por i përkasin një grupi tjetër shoqëror.

Njerëzit priren të marrin këtë lloj ndikimi për t’u ndier pjesë e këtyre grupeve. Sot, në gjuhën e marketingut ky quhet influencim horizontal. E parë më konkretisht me syrin e një biznesi në kohën e marketingut dixhital, influencimi vertikal ndodh zakonisht nga VIP-at dhe efektin më të madh e ka në njohjen e emrit të biznesit, ose brand aëareness. Kurse influencimi horizontal ndodh nga ata që quhen “mikro-influencer” dhe efektin më të madh e kanë në shitje direkte të produktit apo shërbimit që biznesi ofron”, -shpjegon më tej ajo.

Sa i përket përzgjedhjes së tyre, nuk ka një formulë fikse, thotë specialistja.

E gjitha, sipas saj, varet nga strategjia e çdo biznesi dhe çfarë synon në fund të ditës! Nëse një biznes ka fokus të rrisë ndërgjegjësimin për emrin e tij (brand aëareness), zgjedh të bashkëpunojë me dikë që ka një audiencë shumë të gjerë edhe pse jo shumë në përputhje me klientin që ky biznes synon.

Por, nëse biznesi ka si qëllim shitjen direkte, atëherë vendos të bashkëpunojë me një influencer me audiencë të vogël dhe shumë të përqendruar që përputhet me klientin e synuar të biznesit.

“Konkretisht, një restorant që ofron shërbim katering në Elbasan dhe interesohet të rrisë shitjet, duhet më shumë të bashkëpunojë me një influencer lokal, me pak ndjekës, sesa me një VIP me shumë ndjekës. Kjo për dy arsye: shërbimi që biznesi ofron është i kufizuar në hapësirë në një rreze të caktuar dhe fokusi më i madh në planin e marketingut është te shitjet dhe jo te Brand aëareness.”

Megjithatë, sipas saj kanë shumë rëndësi edhe shifrat në përzgjedhjen e një influencuesi:

– numri i ndjekësve (patjetër të jenë organikë dhe jo të blerë)

– ER (Engagement Rate), ndryshe niveli i angazhimit

– Insights, disa tregues të Instagram-it për shikueshmërinë dhe angazhimin.

– Të dhënat demografike të ndjekësve si mosha, gjinia, vendndodhja, ndoshta dhe statusi civil.

Sa i përket mënyrës së pagesës së influencuesit, janë disa, në varësi të marrëveshjes që vendoset. Mënyrat më të zakonshme janë këto:

Thjesht me produkt/shërbim, ndryshe quhet klering.

Produkte/shërbime që përdor influencuesi, plus pagesë.

3. Produkte/shërbime falas plus një program affiliate ku influenceri shpërblehet me përqindje nga shitjet që bëhen me

influencën e tij.

Produkt/shërbim falas plus pagesë plus skemë affiliate.

“Sa u përket çmimeve që një influencues ka nuk flas dot me shifra konkrete, sepse çdo gjë varet nga mënyra e bashkëpunimit që vendoset midis palëve. Por, disa intervale do i them sa për të pasur një orientim.

– Për influencer deri në 10-15 mijë ndjekës funksionon skema e parë e kleringut, ndoshta dhe pak pagesë ekstra. Vlera totale (bashkë me vlerën e produkteve) për një postim shkon në 50€.

– Për influencer 15-100 mijë ndjekës funksionon skema 2 dhe 3, pra influenceri merr produktin/shërbimin dhe një pagesë shtesë ose shpërblim në bazë të programeve affiliate. Vlera totale bashkë me produktet për një postim shkon nga 50€ deri në 300€.

– Për influencer mbi 100 mijë ndjekës, shifrat që duhen paguar janë më të majme, por sërish nuk janë shumë të larta për një biznes. Vlera totale për një postim shkon nga 300€ deri ne 2500€.

“Por, siç e theksova më sipër, nuk ka një formulë fikse as për pagesën, sepse ka një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë, përveç ndjekësve.

Por, më e rëndësishmja është kimia që influenceri do të krijojë me biznesin, në mënyrë që çdo reklamë e bërë të vijë sa më organike dhe të ketë ndikim”, -përfundon znj. Gjati.

Tregu, mes informalitetit

Influencuesit mendohen se janë liderë që gjenerojnë tematika dhe vendosin tendencat në mesin e një auditori ndjekësish, duke i pozicionuar ato në një drejtim të caktuar, për t’u partnerizuar me markat, mbi përmbajtjen e sponsorizuar. Ndikuesit po “konkurrojnë” tregun e reklamave tradicionale dhe po përhapin mesazhin e një marke për audiencën e synuar në një mënyrë autentike.

Ndikuesit në përgjithësi fitojnë para nga miratimi i produkteve në faqen e tyre – të cilat duhet të etiketohen qartë si reklama për shkak të rregullave të Autoritetit të Standardeve të Reklamimit. Në Shqipëri, tregu nuk është ende i strukturuar dhe jo çdo influencues punon formalisht.

Sipas raportit të Influencer Marketing Outlook 2020, pesë platformat kryesore të mediave sociale për marketing me ndikim janë: Instagram (82%), YouTube (41%), TikTok (23%), Twitter (23%), Facebook (5%).

/GazetaSinjali/