image Lladrovci ia atribon Thaçit marrëveshjen për dokumente, Kurtin e quan “të vonuar në politikë”

Politikë

Lladrovci ia atribon Thaçit marrëveshjen për dokumente, Kurtin e quan “të vonuar në politikë”

news image

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar për marrëveshjen e arritur për dokumente ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këtë sukses, Lladrovci e atribon si marrëveshje e nënshkruar para 11 vitesh, kur kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi.

“Të jesh sot politikan, është e lehtë, burrështetas, pak ma ngadal. Vetëm burrështetasit i përballojnë fyerjet e linçimet, pa drojë për veprimet e veta largpamëse, kjo u pa dje, pas 11 vjetëve. 11 vjet zi e terr, për tri orë, u zbardh e vërteta”, ka shkruar Lladrovci.

Në mënyrë indirekte, Lladrovci e quan kryeministrin Kurti si “të vonuar në politikë”.

“Më në fund, do të duhej ta kuptonin të gjithë të vonuarit në politikë se në çfarë pozite ishin pararendësit, udhëheqës të kësaj Republike, nga Rambujeja e këndej. Fati ynë, ishte e drejta jonë, me prijës guximtarë në orët më të rënda për Kosovën, me miq të dëshmuar dhe partneritet besnik”, ka thënë ai.

Kryetari i Drenasit përmendi edhe mundësinë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Këto marrëveshje teknike, janë barrikada të vogla para çështjes madhore, njohjes së ndërsjellë. Pavarësisht qëndrimit meskin për çështjet madhore, disa politikanë më në fund do ta ndryshojnë narrativën politike, do të bëjnë marrëveshje me zëdhënësin e Millosheviqit, por nuk do të quhen tradhtar”, ka deklaruar ai, duke përmendur edhe rolin e ShBA-së në këtë drejtim.

“Më e vlefshmja, pas luftës tonë çlirimtare, shpalljes së Pavarësisë dhe vendimit të GjND-së, do të jetë fitorja diplomatike me marrëveshjen gjithëpërfshirëse, e varur nga prania aktive amerikane në proces. Pa amerikanë, asnjë e drejtë jona, nuk është e mundur të realizohet, as dje, as sot, as nesër”, ka theksuar zyrtari i PDK-së.

Lladrovci komentoi edhe entuaizamin për marrëveshjen e 27 gushtit të atyre që e mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje.

“Të vetëkënaqurit me arritjen e djeshme, le ta ruajnë optimizmin për avancimin e shtetit tonë deri në fund, historia e Kosovës as ka filluar, as mbaron me këtë marrëveshje. Kosova është storje suksesi, Kosova është zemër”, përfundon Lladrovci.

/GazetaSinjali/