image Lista Srpska kundërshton vendimin e Thesarit amerikan për krerët e krimit në veri të Kosovës - Sinjali

Lista Srpska kundërshton vendimin e Thesarit amerikan për krerët e krimit në veri të Kosovës

news image

Lista Srpska ka reaguar pasi që nënkryetari i kësaj partie, Milan Radojiçiq, u fut në listën e sanksioneve nga Departamenti amerikan i Thesarit, duke e kundërshtuar këtë vendim, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas kësaj partie, këto sanksione janë kampanjë e koordinuar me qëllim për të dobësuar unifikimin e serbëve në zonat veriore.

“Akuzat e pabazuara për anëtarët e Listës Serbe dhe serbëve nga veriu i Kosovës janë një kampanjë e koordinuar për të dobësuar unitetin dhe mbrojtjen e njerëzve tanë në këto zona”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Ndërkaq, reagimet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, Lista Srpska i ka vlerësuar si justifikime për aksionet e Policisë së Kosovës në veri.

“Gjithashtu, qëllimi i dukshëm i aksioneve të përbashkëta propagandistike paushall, që shihet edhe në reagimin e Albin Kurtit, është që të justifikohen sulmet e fundit ndaj popullit duarthatë serb dhe derdhja e gjakut serb duke plagosur Srecko Sofronijeviqin gjatë dhunës brutale të aksionit të Policisë së Kosovës, si dhe alibitë për veprime të mundshme të reja të njëanshme të Prishtinës në veri të Kosovës”, thuhet në reagim./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin