image Lista Serbe refuzon ultimatumin për lëshimin e zyrave në Mitrovicë të Veriut: Çështja të zgjidhet në dialog

Politikë

Lista Serbe refuzon ultimatumin për lëshimin e zyrave në Mitrovicë të Veriut: Çështja të zgjidhet në dialog

news image

Lista Serbe ka thënë se e refuzojnë thirrjen e komunës së Mitrovicës Veriore dhe se nuk do të largohen nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve në këtë qytet.

Lista Serbe ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Duke pasur parasysh synimin e Prishtinës që me çdo kusht të vazhdojë me përshkallëzimin e situatës në terren dhe të pushtojë objektin në Mitrovicës, duam t’iu njoftojmë publikisht se refuzojmë ultimatumin e regjimit në Prishtinë për lëshimin e zyrave tona dhe kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç parashihet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015″, thuhet në njoftim në Facebook.

Më tej, në reagimin e tyre thuhet se institucionet që gjenden në objektin në Lagjen e Boshnjakëve, ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët.

“Përndjekja dhe pushtimi me forcë i kësaj ndërtese do të kërcënonte ushtrimin e të drejtave të njeriut për dhjetëra mijëra persona, si në fushën e sigurimeve pensionale dhe invalidore ashtu edhe atë të mbrojtjes sociale të shtresave më të rrezikuara të shoqërisë”, thuhet ndër të tjera.

“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të bëjë përpjekje maksimale në momentet e paqes së brishtë dhe të parandalojë regjimin e Prishtinës që të përshkallëzojë situatën dhe të shkaktojë tensione shtesë që mund të kenë pasoja të paparashikueshme në terren”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Kujtojmë se Kryetari i Mitrovicës së Veriut nga Lëvizja Vetëvendosja, Erden Atiq, u çoi “ultimatum” për lirimin objektit të disa institucioneve paralele serbe.

/GazetaSinjali/