image Lista Serbe me fjalë të ashpra për Albin Kurtin

Kosovë

Irritimi/ Lista Serbe me fjalë të ashpra për Albin Kurtin

news image

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deri më tani nuk është takuar me asnjë përfaqësues të Listës Serbe.

Që nga shpalla preliminare e zgjedhjeve të 6 nëntorit, ku edhe fituese e tyre doli Lëvizja Vetëvendosje, kreu i saj, Albin Kurti, nuk është takuar asnjëherë me përfaqësuesit e Listës Serbe.

E madje Kurti ka thënë se jo domosdoshmërisht Lista Serbe duhet të jetë pjesë e Qeverisë së re.

Duke e parë këtë, ka reaguar Lista Serbe.

Përmes një komunikate për medie, Lista Serbe ka thënë se me veprimet e tilla Kurti po i mohon të drejtat e popullit serb që jetojnë në Kosovë.

Sipas Listës Serbe, me veprimet që po i bën Kurti, ai po i ofendon serbët dhe siç thekson, fitoren e lavdishme të Listës Serbe.

“Synimi i aspirantëve për të formuar një qeveri të re në Prishtinë është të injorojë rezultatet e zgjedhjeve dhe vendimin e popullit serb për të zgjedhur Listën Serbe si përfaqësues të interesave në institucionet e Kosovës  dhe të arrijë një marrëveshje me serbët privatë. Kjo flet në favor të faktit se Albin Kurti dhe Lëvizja e tij duan të shkelin aktet më të larta juridike që ata vetë i kanë miratuar dhe kështu shkelin të gjitha parimet ligjore dhe demokratike”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe, transmeton më tutje lajmi.net.

Përmes këtij reagimi, Lista Serbe i ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtar që të reagojnë dhe të thonë se kjo që po bën Kurti është shkelje e ligjeve dhe Kushtetutës.

“Shkeljet e ligjit lejohen nga politikanët shqiptarë nëse vendimet merren në dëm të serbëve, në mënyrë që Lista e Serbe të mund të përcaktojë hapat e saj politikë në përputhje me rrethanat”.

Lista Serbe po ashtu në njëfarë forme edhe e ka kërcënuar Kurtin dhe Qeverinë e ardhshme me veprimet që po bëhen aktualisht kundër këtij subjekti politik serb.

“Nëse Albin Kurti mund të njoftojë shkelje të të drejtave dhe ligjeve të popullit serb pa ndonjë pasojë, atëherë është koha që të rishqyrtohen të gjitha aranzhimet në të cilat populli serb bëri lëshime me qëllim që të qetësojë situatën dhe të zgjidhë problemet në Kosovë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Sipas këtij reagimi, pozicioni dhe të drejtat e serbëve nuk varen as nga Lista Serbe e as nga Albin Kurti.

“Populli serb nuk do të kërkojë kurrë askënd për të drejtat e tyre, por gjithmonë do të luftojë për ta në çdo vend, me vlerësimin se e drejta për pozicione të caktuara brenda Listës Serbe nuk është dhe nuk duhet të jepet nga Albin Kurti. përkundrazi, vendi ishte i siguruar nga numri rekord i votave të hedhura nga populli serb në zgjedhjet serbe”, ka bërë të ditur Lista Serbe.

Sipas këtij reagimi, Lista Serbe është e hapur që të bisedojë me secilin që tregon respekt për popullin serb dhe që i zbaton marrëveshjet e arritura në Brukse.

Sipas tyre nëse Qeveria e ardhshme vetëm dëshiron që para Brukselit të arsyetohet se ka në përbërjen e saj pacikën serbe, atëherë siç theksohet në reagim, janë në rrugën e duhur pasi që deri më tani Kurti ka biseduar me Rashiqin e Trajkoviqin.

“Kushdo që tregon respekt për popullin serb, por edhe për detyrimet që ka Prishtina ndaj nesh, të cilat rrjedhin nga Brukseli dhe marrëveshje të tjera, si dhe akte juridike, kanë një vend për të biseduar në Listën Serbe. Në rast se ata nuk dëshirojnë këtë, ata kanë nevojë që serbët t’i kenë si një dekor që do t’u tregojnë të huajve, atëherë ata janë në adresën e duhur, sepse kanë biseduar me Nenad Rashiq, Rada Trajkoviq dhe nyje të tjera që janë ndëshkuar ashpër nga populli serb”, ka bërë të ditur Lista Serbe.