image Lista Serbe humb mbështetje të konsiderueshme

Politikë

Lista Serbe humb mbështetje të konsiderueshme

news image

“Politika e keqe në dhjetë vjetët e fundit” dhe “barrikadat në veri të Kosovës” janë disa nga arsyet përse Lista Serbe po e humb besimin e disa banorëve të Mitrovicës së Veriut, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.

Se kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë – ka humbur mbështetje, e tregon edhe një hulumtim i organizatës joqeveritare, Aktiv, për pozitën e komunitetit serb në veri të Kosovës. Rezultatet e tij u publikuan në fillim të marsit dhe nga 350 të anketuar, vetëm 2.4 për qind thanë se i besojnë Listës Serbe.

Nga viti 2013, kur edhe është formuar me mbështetjen e Beogradit zyrtar, Lista Serbe ka marrë mbi 90 për qind të votave pothuajse në të gjitha zgjedhjet.

Megjithatë, vëzhgues nga Bashkimi Evropian kanë thënë në raportet e tyre se kjo parti “ka monopolizuar jetën politike mes serbëve në Kosovë”. Sipas tyre, kandidatë dhe aktivistë të Listës Serbe kanë bërë trysni mbi votuesit.

Pse po humb besimi në Listën Serbe?

Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare, Aktiv, beson se Lista Serbe e ka humbur mbështetjen për shkak se qytetarët në veri ndihen “të braktisur” pas heqjes së barrikadave.

“Kjo, qartazi, ka ndikuar negativisht në perceptimin e qytetarëve se janë të braktisur nga institucionet qendrore, por edhe nga përfaqësuesit politikë vendorë, të cilët i konsiderojnë drejtpërdrejt përgjegjës për situatën aktuale në veri të Kosovës”, thotë Milliqeviq.

Punonjës të institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë në veri kanë thënë më herët për REL-in se kanë qenë “të detyruar” të shkojnë në barrikada me turne. Sipas tyre, një gjë të tillë ua kanë kërkuar autoritetet lokale.

Verolub Petroniq, nga organizata joqeveritare, Qendra Humanitare – Mitrovicë, thotë se pjesëtarët e komunitetit serb i besojnë gjithnjë e më pak Listës Serbe për shkak të “nepotizmit, korrupsionit dhe aferave të ndryshme”.

Ai nuk jep ndonjë shembull konkret, por thotë se zyrtarët e Listës Serbe “i janë kthyer vetes dhe ekzistencës së tyre”.

Zyrtarët e Listës Serbe kanë pasur dy ose më shumë pozita përpara se të largoheshin nga institucionet e Kosovës, sepse kanë qenë të punësuar edhe në institucionet e Serbisë.

Për shembull, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka qenë njëkohësisht edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe drejtor i Ndërmarrjes Publike “Standard” në Mitrovicën e Veriut, e cila punon në sistemin serb. Përndryshe, makineritë e rënda të kësaj kompanie janë përdorur edhe për barrikadat në veri.

Rakiq merr rrogë edhe nga Shkolla e Lartë Ekonomike e Studimeve Profesionale, e cila funksionon në sistemin serb.

Petroniq thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Listës Serbe për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës ka qenë një “hap i gabuar”.

“Me daljen e tyre kanë dalë edhe shumë njerëz nga institucionet. Hap krejtësisht i gabuar. Kanë vendosur të dalin në vend që t’i normalizojnë gjërat në njëfarë mënyre”, thotë Petroniq.

Sipas tij, as politikanë të partive të tjera “nuk kanë kapacitet apo integritet” për të fituar besim më të madh nga qytetarët.

/GazetaSinjali/