Policia e Kosovës përsëri është sulmuar me armë zjarri në Zubin Potok. Përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për të lënduar, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky sulm është dënuar edhe nga zyrtarët serbë, të cilët kanë thënë se po tentohet që faji tu lihet serbëve.
Ka qenë Lista Serbe e cila e ka dënuar incidentin që ndodhi mëngjesin e sotëm në komunën e Zubin Potokut.
“Ky incident ka për qëllim destabilizimin e mundësive, por edhe përpjekjen për t’i paraqitur serbët si disa ngacmues, gjë që nuk përputhet me të vërtetën. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje. Që të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon. Kush e ka bërë këtë nuk i mendon mirë popullit serb”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Ndryshe, Policia e Kosovës për Sinjalin e ka konfirmuar rastin e sulmit.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar. Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve”, thuhet në konfirmimin e PK-së.
Ndryshe, ditë më parë Policia e Kosovës është sulmuar katër herë radhazi nga persona të panjohur e që dyshohet se vijnë nga kufiri me Serbinë.