Abaz Beqiraj u arrestua të dielën nga autoritetet serbe në kufirin Serbi – Hungari, me arsyetimin se ka një gjobë të papaguar që nga viti 2010, shkruan Gazeta Sinjali.
Deçanasi doli sot para Gjykatës në Serbi, ndërsa tani është konfirmuar lirimi i tij.
Për Sinjalin, këtë e bëri të ditur nipi i Beqirajt, Arlindi.
Ai tha se xhaxhai i tij është liruar, mirëpo ende nuk është kthyer në shtëpi.
Sipas familjarëve të tij, Beqiraj ka qenë në Gjermani për vizitë te djali i tij dhe është arrestuar gjatë kthimit për në Kosovë.
Mirëpo kjo nuk ka qenë hera e parë që Beqiraj ka udhëtuar për në shtetin gjerman, por është hera e parë që është arrestuar nga Policia serbe.
Madje vajza e tij, Melihatja, në një intervistë tha se nuk janë në dijeni për ndonjë gjobë të shqiptuar për prindin e saj.
Për arrestimin e Beqirajt, nuk mungoi as reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Të dielën, në një njoftim për media, nga MPJD thanë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka vendosur kontakte me autoritetet serbe për t’i sqaruar rrethanat.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga mediat që sot, në kufirin Hungari-Serbi, autoritetet serbe mund të kenë ndaluar një qytetar të Republikës Kosovës. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd ka vendosur tashmë kontaktin me autoritetet serbe në përpjekje për të sqaruar rrethanat. Do t’ju mbajmë të informuar rreth detajeve”, u tha në deklaratën e MPJ-së të lëshuar ditën e diel.
Kujtojmë që një ditë para se të arrestohet Beqiraj, policia serbe arrestoi dy kosovarë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “vjedhje e pyjeve” në fshatin Dabinoc.
Për arrestimin e dy personave nga Podujeva ka folur vetëm kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi.
Ai në një prononcim për Sinjalin tha se nuk është polic që të japë informacione.
“Unë nuk jam polic. Unë jom kryetar i komunës, ju është mirë për këto gjëra me thirrë policinë me vet”.
Ndaj dy qytetarëve të Podujevës, me inicialet Z.M. dhe N.M., tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, por për ta nuk është deklaruar askush nga institucionet e nivelit qendror.