image Lirohen nga detyrimi për karantinim shoferët që transportojnë mallra në Kosovë

Kosovë

Vendim/ Lirohen nga detyrimi për karantinim shoferët që transportojnë mallra në Kosovë

news image

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë vendim që të lirojë nga detyrimi për t’u karantinuar për 2 javë shoferët me shtetësi kosovare dhe të huajt që transportojnë mallra në Kosovë.

Megjithatë atyre do t’iu kryhen testet mjekësore për t’u siguruar që nuk janë të infektuar me koronavirus.

Në pikën 1 të vendimit të MPB-së thuhet se të gjithë qytetarët që futen nga pikat kufitare në Kosovë detyrohen të karantinohen për 2 javë. Ndërkohë në pikën 2, lirohen shoferët që transportojnë mallëra.

“Përjashtohen nga pika 1 e këtij vendimi, shoferët shtetas të Kosovës dhe të Huaj të mjeteve transportuese të mallrave, të cilët pasi t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor, vlerësohen se nuk janë të dyshimtë me COVID-19, të njëjtit duhet të veprojnë sipas Udhëzuesit nr. 107 të datës 16.03.2020, të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, thuhet në pikën 2 të vendimit të MPB’së.

Ky vendim ka ardhur pas ankesave të afaristëve të Kosovës që u bë dje përmes një letre publike drejtuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Ndryshe, pak më parë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se janë konfirmuar edhe katër raste të reja të infektuara me COVID-19, duke e çuar në 28 numrin e prekurve./GazetaSinjali/