image Lirimi i serbëve që u kapën me emblema të UÇK-së, Haxhiu: E çuditshme, sidomos pas ngjarjeve në Ukrainë

Drejtësi

Lirimi i serbëve që u kapën me emblema të UÇK-së, Haxhiu: E çuditshme, sidomos pas ngjarjeve në Ukrainë

news image

Në media është raportuar se janë arrestuar e më pas janë liruar dy persona shtetas të Serbisë, të cilët dyshohej se kishin blerë emblema të UÇK-së në një dyqan të Prishtinës, e kjo ngjarje i ka habitur zëvedëskryeministrin dhe ministren e Drejtësisë në Kosovë.

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media thanë se pas situatës së krijuar në Ukrainë, institucionet e sigurisë duhet të kenë bashkëpunim e jo injorim të situatës.

Haxhiu tha se vendimi i Prokurorisë është i çuditshëm, duke thënë se njëri nga të akuzuarit ka informacione për bashkëpunim.

“Institucionet e sigurisë kanë informacione se njëri ka bashkëpunime. Përkundër këtyre informacioneve prokuroria ka liruar personat. Vendimi i prokurorisë është i çuditshëm dhe injorim i ndonjë rreziku të mundshëm. Ne kërkojmë nga institucionet e vendit që sidomos pas këtyre rrethanave të krijuara në Ukrainë dhe rreshtimit të Serbisë krah Rusisë të kemi bashkëpunim dhe jo injorim të situatave”.

“Këto veprime të fundit dëshmojnë që reformat që kemi nisur si ministri e Drejtësisë janë të domosdoshme dhe të nevojshme”, tha tutje ajo.

Haxhiu tha se Qeveri e Kosovës kërkojnë vigjilencë dhe i inkurajojnë institucionet që të punojnë në këtë drejtim.

/GazetaSinjali/