image Lirak Çelaj: Në PDK zgjedhjet bëhen vetëm formalisht, avancohen servilët

Kosovë

Politikë/ Lirak Çelaj: Në PDK zgjedhjet bëhen vetëm formalisht, avancohen servilët

news image

Lirak Çelaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se në PDK zgjedhjet bëhen vetëm formalisht për të “legjitimuar” individët “avatarë” dhe për t’i paraqitur gjoja si vullnet të strukturave.

Sipas Çelajt, zgjedhja e kryesisë së PDK-së ishte shkelja më flagrante e të drejtës që e mbron Statuti i Partisë. Sipas tij zgjedhja e kryesisë nga Kadri Veseli nuk ka lejuar të zhvillohet garë demokratike.

“Rasti i fundit me zgjedhjen e Kryesisë është shkelja më flagrante e të drejtës që e mbron Statuti i Partisë, ku secili anëtar ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në të gjitha instancat e partisë. Pra ju keni emëruar një grup njerëzish dhe nuk keni lejuar të zhvillohet garë demokratike siç e do demokracia”, ka thënë ai.

Çelaj ka thënë se Veseli ka emëruar në kryesi të PDK-së persona që janë servilë dhe bashkëpunëtorë të ish-shefit të SHIK-ut.

“Keni shpërfillur besimin e strukturave të PDK-së duke vënë në krye të saj njerëz që u pëlqejnë bashkëpunëtorëve tuaj, por jo Partisë. Madje edhe njerëz që nuk janë pjesë e Këshillit Drejtues, njerëz që deri dje e kanë sharë PDK-në, njerëz që përveç servilizmit nuk paraqesin asnjë vlerë tjetër. Natyrisht në atë Kryesi ka edhe njerëz shumë të mirë dhe me vlera, por unë po flas vetëm për një pjesë të saj. Ashtu siç duket një pjesë e Kryesisë së re, asaj do t’ia kishte zili edhe PSD-ja e Shpend Ahmetit (jo kjo e Dardan Molliqajt)”, ka thënë Çelaj, shkruan Gazeta Sinjali.

Reformën e nisur nga Veseli brenda PDK-së, Çelaj e ka quajtur ‘spastrim’.

“Në emër të gjoja reformës, nga disa bashkëpunëtorë tuaj, por shumë të përkrahur nga ju ,më shumë janë bërë spastrime sesa reforma. Nuk jam kundër sjelljes së kuadrove të reja, përkundrazi, mendoj se është e domosdoshme, por se duhet të ketë një kriter dhe një rrugë, pa dëmtuar të tjerë aktivistë dhe një mundësi që të dëshmohen këto kuadro dhe të fitojnë besimin e shumicës përmes formave të aktivitetit në bazë”.

Tutje ai ka thënë se PDK-ja në zgjedhjet e fundit ka qenë me rezultatin më të keq dhe askush nuk ka marr përgjegjësi për këtë.

“Në zgjedhjet e fundit dolëm me rezultatin më të keq që kishte pasur PDK ndonjëherë dhe lëre që askush nuk e mori përgjegjësinë për këtë dështim, por ndodhi e kundërta, të gjithë ata që ishin në shtab zgjedhor u rizgjodhën dhe u avancuan. Kjo duket sikur u shpërblyen për humbjen”.

Sipas Çelajt ka pasur angazhim që individë të caktuar të dalin sa më të votuar brenda PDK-së. /Gazeta Sinjali/