Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se në takimin e thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti, për t’u konsultuar me liderët politikë lidhur me dialogun, nuk ka shkuar për shkak të disa punëve që i kishte në shtëpi.
“Për shkak të disa angazhimeve të mia në shtëpi s’kam mundur të shkoj në takimin e thirrur nga Hoti, por në ditët në vazhdim do të takohemi”, u shpreh Limaj.
Limaj gjithashtu theksoi se Serbisë dhe BE-së, Hoti duhet t’u bëjë të qartë se për çka hynë Kosova në dialog.
“Për mua nuk janë negociata ato, për mua është rifillim i dialogut. Kryeministri duhet t’i bëjë të qartë BE-së, se për çka hyjmë në dialog. Ne hyjmë për njohje”, tha ai.
“Ne në dialog, vijmë për parime të çarta, ne kemi hequr taksë, reciprocitet, zoti Hoti, ka thënë se dialogu do të bëhet për njohje”.
Ai ka folur edhe për zgjedhjen e Skender Hysenit si Koordinator Shtetëror për dialogun me Serbinë, i zgjedhur nga kryeministri Hoti.
“Është një njeri me përvojë, nuk kam asnjë dilemë për profesionalizmin e tij, por për mënyrën sesi është zgjedhur jam pak i rezervuar”, deklaroi Limaj në Pressing./ Gazeta Sinjali/