image Limaj: PZAP ktheu rezultatin e rregullt, Nisma-AKR-PD do t’i ketë 6 deputetë

Kosovë

Zgjedhjet/ Limaj: PZAP ktheu rezultatin e rregullt, Nisma-AKR-PD do t’i ketë 6 deputetë

news image

Nisma Socialdemokrate e ka mirëpritur vendimin e PZAP-it ku urdhëron KQZ-në të largojë nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia, si dhe rinumërimin e 1472 vendvotimeve.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se pa votat e ardhura nga Serbia, Nisma dhe partnerët janë parti parlamentare me 6 mandate.

“Nga sot edhe me vendim të PZAP-it, Nisma dhe partnerët e koalicionit janë parti parlamentare edhe një herë u dëshmua gjithë ajo që e kemi thënë se me votat e rregullta jemi në parlament. Sot duke larguar ato vota kontrabandë është parti parlamentare… Vendimi është Nisma është mbi 5.012 për qind dhe së bashku me partnerët jemi parti parlamentare. Merrni shikoni pa ato vota, do të shihni. Faktikisht ne jemi me 6 mandate në Parlamentin e Kosovës”, tha ai.

Teksa pati fjalë të mira për anëtarët e PZAP-it, duke e konsideruar vendimin e tyre si të guximshëm dhe ligjor.

“Anëtarët e PZAP-it treguan se ata nuk ndikohen se ata janë të verbër e të shurdhur nga anash dhe për ta shikojnë dhe dëgjojnë vetëm ligjin dhe respektojnë vetëm ligjin dhe marrin vendime ligjore. PZAP sot e ka bërë një shërbim të madh… PZAP sot e ka kthyer në një masë integritetin e zgjedhjeve të Kosovës. PZAP sot ka intervenuar ta kthejë rezultatin e rregullt ashtu siç kanë votuar qytetarët sipas ligjit. PZAP sot edhe një herë ka dalë si gardian i fuqishëm në mbrojtje të demokracisë në këtë vend”, tha ai.

Limaj përveç tjerash adresoi edhe akuza ndaj KQZ-së, duke thënë se shpallja e rezultateve të tyre tregon që kanë qenë e gabuar.

“KQZ ka shpallë një rezultat jo të rregullt dhe ai nuk është rezultat përfundimtar. Vendimi që e ka marrë sot PZAP për anulimin e ashtuquajtura vota të parregullta të Serbisë dhe rinumërimin e 1447 vendvotimeve tregon që KQZ nuk ka shpallë bash asgjë, s’ka pasur rezultat të rregullt”, tha ai.

Në shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit nga ana e KQZ-së, Nisma Socialdemokrate nuk e kishte kaluar pragun. /Gazeta Sinjali/