Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se shkuarja e kryeministrit Avdullah Hoti ka qenë e dakorduar nga partnerët e koalicionit.
Megjithatë, ai ka thënë se Nisma druan se po rreshqitet drejt një dialogu teknik dhe partia të cilën ai e drejton nuk është për këtë opsion.
Limaj thotë se Nisma është për dialog mes dy vendeve, por jo për dialog teknik dhe se tri vite janë humbur për teke individuale.
“Pa njohje s’ka implementim të marrëveshjeve. Koha ka ardhur për një marrëveshje gjithëpërfshirese, e cila e ka njohjen brenda dhe anëtarësimin në OKB. Ky është qëndrimi që duhet ta mbrojë kryeministri Hoti. Dialog për njohje me afat kohor. Kosova është e interesuar me këto parime. Dialogu të ketë emër. Dialog për njohje, këtë dialog e mbështet Nisma”, ka thënë Limaj ndër të tjera në emisionin “Pressing”.
Më tutje, Limaj ka thënë se nuk mund të fillohet dialog me tema të veçanta.
“Neve na duhet një unitet. Nuk e di kur ka më ndodhë, por dialog me Serbinë nuk mund të ketë pa shumicën. Ka tri vite që angazhohem për këtë temë”, ka shtuar Limaj. /Gazeta Sinjali/