image Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, partitë politike me propozime të ndryshme për të dalë nga kriza - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

38431

Të shëruar

23754

Të vdekur

989

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, partitë politike me propozime të ndryshme për të dalë nga kriza

news image

Nevoja që të miratohet një ligj për rimëkëmbjen ekonomike pas dëmeve që shkaktoi pandemia COVID-19, për të ndihmuar ekonominë e vendit, tani është më se e domosdoshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Qeveria e Kosovës ka bërë gati Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Deri më tani, ky projektligj ka kaluar në lexim të parë. Aktualisht, pritet që të kalohet edhe në lexim të dytë, por që deri më tash ka dështuar të hidhet në votim, kjo për shkak të mungesës së kuorumit.

Ky projektligj për rimëkëmbje ekonomike, kap vlerën e 385 milionë eurove, ndërsa me miratimin e tij të plotë është thënë se do të mundësohet rikuperimi i humbjeve të bizneseve për shkak të dëmeve të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Me këtë projektligj, kontribut-paguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, pikë për të cilën pati mospajtime të ndryshme nga ana e subjekteve politike.

Nëse ky projektligj votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj, siç ka njoftuar më herët kryeministri Avdullah Hoti do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor të vitit 2021. Ndërsa pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen.

Lidhur me këtë projektligj ka pasur reagime të ndryshme nga partitë politike në vend.

Deri më tani, të gjitha subjektet politike kanë prezantuar propozime të ndryshme se si të gjendet zgjidhje për ta kaluar këtë krizë, të shkaktuar nga pandemia globale COVID-19.

Qeveria e Kosovës ka propozuar tërheqjen e 10 për qind të mjeteve të Trustit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në komisionet përkatëse parlamentare.

Aktualisht, pritet që ky projektligj të kalohet edhe në lexim të dytë, por që deri më tani kanë dështuar të mbahen seancat, kjo për shkak të mungesës së kuorumit

Ministrija e Financave, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se përmes këtij Projektligji plotësohen dhe ndryshohen disa ligje të tjera.

“Autorizohet Fondi Pensional i Kosovës dhe fondet tjera që brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij Ligji t’ju mundësojnë qytetarëve që t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Kjo tërheqje do të lirohet nga obligimet tatimore”, kishte thënë Bajrami.

Në anën tjetër, ky Projektligj parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

Përdorimi i një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Trust, rishikimi i buxhetit, lehtësimi i qasjes në financim dhe mbështetja për punësim, janë disa nga nëntë masat e parapara të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike që janë prezantuar në Programin Qeverisës 2020-2023 të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij programi, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite, duke themeluar Fondin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë Covid-19.

Masa e pestë e kësaj pakoje parasheh stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte multiaplikuese në ekonomi.

Në kuadër të pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar marrjen e 900 eurove kredi pa interes për secilën familje në Kosovë

Ish-ministri i Financave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, mbrëmë në një debat televiziv ka dhënë alternativën e partisë së tij ndaj propozimit të kryeministrit Hoti për tërheqjen e 10% të Trustit.

Bislimi ka thënë se nxitja e kërkesës agregate do të bëhej shumë më mirë nëse 350 mijë familjeve kosovare do t’u lejohej të merrnin kredi pa kamatë sa dyfishi i pagave që kanë.

“Secila prej këtyre 350 mijë familjeve do të mund të merrnin kredi me 0% interes për pesë vite deri në 900 euro, pra sa dy paga mesatare në Kosovë. Pra masa e kredisë do të ishte e barabartë për të gjithë. Kostoja që shteti do të barte për të mbuluar interesin bankar do të ishte 20 milionë euro”, tha ai.

Nënkryetari i Vetëvendosjes ka thënë se kjo kredi pa kamatë prej 900 euro do të ndihmonte shumë familje në Kosovë.

“Edhe bankat do t’i ndihmonte shumë pasi ato kanë mjaft para të pashfrytëzuara”, ka deklaruar Bislimi.

Por, për këtë propozim të Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ahmeti thotë se propozimi i VV-së që “qeveria duhet të ua mundësojë qytetarëve të marrin kredi në bankë, e qeveria të ua paguaj kamatën, nuk vjen në shprehje”, pasi sipas tij qytetarët kanë humbur vendet e punës dhe atë borxh nuk mund ta kthejnë.

 “Ne mundemi me e largua kamatën, por kredia është aty. Me çka me kthy atë kredi? Pra na veç po i mundësojmë me hy në borxh por pa kamatë”, ka thënë Ahmeti.

Me këtë rast edhe Ahmeti ka dhënë një propozim alternativ ndaj Bislimit për të zbutur krizën ekonomike të bizneseve e qytetarëve.

“Më mirë do të ishte të kreditohej shteti për të subvencionuar qytetarët apo me forma tjera të transferit dhe duke subvencionuar apo kontraktuar bizneset për punë të ndryshme”, thotë Ahmeti.

AAK-ja ka propozuar që secilit qytetar t’i ndahen nga 100 euro ndihmë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka thënë se masat ekonomike të marra nga qeveria në detyrë, janë të pamjaftueshme dhe ka kërkuar që secilit qytetar t’i ndahen nga 100 euro.

Në një konferencë për medie ku ka folur rreth situatës emergjente në ekonomi si pasojë e pandemisë së koronavirusit, AAK-ja ka propozuar që qytetarëve t’iu ndahen nga 100 euro.

“Ne si AAK propozojmë që të ndahen si mbështetje e menjëhershëm për secilin qytetar të ndahen nga 100 euro. Mbështetja do të shpërndahej bazuar në ekstraktet familjare në secilën komunë. Nga ekstraktet nxirren saktë numri i familjeve dhe anëtarëve të tyre rezidentë në Kosovë dhe kështu mbështesim drejtpërdrejt secilën familje sipas numrit të anëtarëve pa dallim në tejkalim të kësaj pandemie”, tha ai.

Sipas tij vlera e kësaj përllogaritje do të ishte 170 milionë euro dhe këto mjete duhet të sigurohen sa më shpejtë.

“Tashmë jemi të vetëdijshëm se krizën ekonomike e kemi në derë dhe pasojat do të jenë edhe me të rënda nëse reagimi nuk do të jetë i fuqishëm. Masat e propozuara nga Qeveria nuk mjaftojnë dhe implementimi po shkon shumë ngadalë dhe është i ngarkuar me procedura dhe paqartësi që më shumë do të shkaktojë vonesa e që do të ndikojë në rritjen e pasigurisë ekonomike.

Në këto masa nuk janë përfshirë edhe shumë kategori, si punëtorët pa kontrata, ekonomitë e vogla familjare e të vetëpunësuari e paregjistruar, nënat vetë ushqësuese që varen nga alimentacioni, familjet që jetojnë nga remitencat etj”, ka thënë Abrashi.

Po ashtu, Abrashi ka thënë se përveç vendimeve të sipërpërmendura, duhet krijuar edhe një task-frocë të veçantë që do të merret me mbrojtjen e sektorit privat dhe vendet e punës nga kriza e pandemisë.

“Duhet krijuar një task forcë që të ruhet sektori privat dhe vendet e punës nga kriza e pandemisë. Këto mjete janë të domosdoshme, meqenëse pritet rënie e remitancave të diasporës. Duhet të ndryshohet TVSH dhe e njëjta të paguhet pas shitjes së produktit, jo paraprakisht.

Ne si AAK e shohim të nevojshëm për të adresuar masat që duhet ndërmarrë, për mbrojtjen e punëtorëve të sektorit privat dhe publikut, si dhe mijëra biznese aktive që sot ballafaqohen me vështirësi të madh”, ka theksuar ai.

Sipas tij, çdo intervenim i vonshëm nuk do ta ketë efektin e njëjtë sikur tani.

PDK-ja ka propozuar që tërheqja e 10 për qind të Trustit të votohet veçmas

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të qartë qëndrimin e partisë së tij lidhur me tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale.

Ai ka ftuar qeverinë dhe Odat Ekonomike të ulen t’i harmonizojnë qëndrimet për këtë çështje, në mënyrë që t’i hapet rruga votimit të projektligjit në Kuvend.

Sipas tij, projektligji i propozuar nga qeveria nuk del në mbrojtje të sektorit privat.

Ai ka thënë se duhet të bëhet një ligj i qëndrueshëm, e se çështja e Trustit mund të votohet veçmas.

Sipas tij, qeveria po i mashtron qytetarët me propozimin për 10 për qindëshin e fondeve të Trustit të cilat nuk i rimbursojnë më.

“Sot në seancë do të jenë dy projektligje që kanë të bëjnë në lidhje me zhvillimet ekonomike për sektorin privat. Ne si PDK jemi të interesuar që duke u bazuar në situatën e rëndë si rezultat i pandemisë, ne propozojmë që të ulemi bashkërisht si parti opozitare dhe ta bëjmë një ligj të mirëfilltë dhe ta bëjmë një ligj të mirë dhe të qëndrueshëm, për ndryshe nëse është në pyetje vetëm mjetet e Trustit, ne propozojmë që nevojitet vetëm një nen i ri dhe kjo punë të kryhet me procedurë të shpejtuar”, ka thënë Hamza në seancën e 25 shtatorit.

Sipas PDK-së, projektligji i propozuar nga qeveria nuk e përkrah sektorin privat.

“…ne mendojmë që një pjesë nuk kanë grumbulluar mjete të mjaftueshme, prandaj ligi që ka propozuar qeveria nuk është ligj që e përkrah sektorin privat prandaj ne mendojmë që duhet të kemi një ligj të mirë që i adreson këto nevoja, sa për mjetet e Trustit ka nevojë për një nen”./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin