image Ligji për pagën minimale, çka parasheh dhe pse po kundërshtohet?

Financa

Ligji për pagën minimale, çka parasheh dhe pse po kundërshtohet?

news image

Ndonëse është paraqitur si sukses nga Qeveria e Kosovës, ligji i ri që parasheh rritjen e pagës minimale në Kosovë, që u miratua të enjten në Kuvend, ka hasur në kundërshtime nga veteranët e luftës në Kosovë.

Në pika të shkurtra më poshtë mund të lexoni më shumë detaje rreth këtij ligji dhe pse ka ngjallur reagime.

Çfarë është ky ligj?

Emri zyrtar i tij është “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.

Në parim, me të parashihet që paga minimale në Kosovë të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Po ashtu, ky ligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.

Ky ligj përcakton se vlera e pagës minimale do të ketë tatim zero.

Sipas ligjit, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social. Por, në mungesë të një propozimi nga ky Këshill, ministri për Financa mund të parashtrojë një propozim për pagën minimale për Qeverinë.

Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale. Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat.

Kur do të hyjë në fuqi?
Janë edhe disa shkallë deri sa ky projektligj të hyjë në fuqi dhe të shndërrohet në ligj.

Deri më tani, projektligji ka kaluar disa faza të rëndësishme. Ai është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më14 qershor 2022.

Ndërsa, më 13 korrik 2023, ai është miratuar edhe në lexim të dytë në Kuvend.

Me këtë, ky ligj konsiderohet i miratuar nga Kuvendi dhe pasi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit, ai duhet t’i dërgohet Presidentes së vendit për nënshkrim.

Kushtetuta e Kosovës i jep të drejtë Presidentes që me arsyetim ta kundërshtojë dhe kthejë ligjin në Kuvend.

Megjithatë, për ta përmbysur veton e Presidentes nevojiten që së paku 61 deputetë të votojnë për ligjin e miratuar, i cili është kthyer në Kuvend dhe ligji konsiderohet i shpallur.

Ligji hyn në fuqi përfundimisht 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës.

Edhe pas hyrjes në fuqi, secili ligj i publikuar mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo gjykatë parasheh se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, mund ta shpallë atë të pavlefshëm.

Pse u kundërshtua?

Përveç se nuk u përkrah nga opozita, Ligji për pagën minimale ka hasur në kundërshtim të ashpër nga personat që përfitojnë nga skema pensionale për veteranët e luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë.

Kjo për shkak se ky Ligj nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.

Përkatësisht, ndonëse paga miminale parashihet të rritet në 264 euro, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro, sa është paga minimale momentalisht.

Lidhur me veteranët ky ligj thekson se ‘deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual’.

Pas votimit në Kuvend, Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka kritikuar këtë vendim të deputetëve.

“Siç po e marr vesh nga mediat, pasi u largua opozita nga salla, në terr, deputetët e këtij pushteti të paskrupullt, e kanë kaluar Ligjin për pagën minimale duke i hequr veteranët e luftës së UÇK-së. Ne do të takohemi si organe drejtuese dhe do të vendosim për hapat që do t’i ndërmarrim”, shkroi ai në Facebook.

Në Kosovë, punëdhënësi më i madh është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro.

Në sektorin publik, ndërkaq, janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro./REL

/GazetaSinjali/