Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e kryekuvendarit Glauk Konjufca për t’u konsultuar me Komisionin e Venecias për amandamentet e rishikuara në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“E mirëpres gatishmërinë e Glauk Konjufcës që të konsultohet me Komisionin e Venecias për amandamentet e rishikuara në Ligjin për KPK-në. Pajtueshmëria me standardet evropiane është prerogativë kryesore në zbatimin e reformave”, ka shkruar ai.
Para rreth një jave, shefi i Zyrës së BE-së për Kosovë, Tomas Szunyog, i ka kërkuar Konjufcës që përsëri ta dërgojë draft-ligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për konsultim në Komisionin e Venedikut.
“Marrë parasysh rëndësinë e kësaj iniciative dhe faktit që draft-ligji përfshin dispozita të reja që më parë nuk janë vlerësuar nga Komisioni i Venedikut, unë iu inkurajoj fuqishëm që të (ri) konsultoni Komisionin e Venedikut dhe të siguroheni që rekomandimet e tij janë inkorporuar siç duhet në draft-ligjin e finalizuar”, shkruan në këtë letër Szunyog.