Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ishte thirrur nga kryetari, Isa Mustafa pas shkarkimit të Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.
Pas kësaj mbledhjeje për media është deklaruar i pari i partisë, Isa Mustafa, transmeton Gazeta Sinjali.
Mustafa ka thënë se në këtë mbledhje është votuar për ngritjen e një mocioni mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
“Patëm mbledhjen e kryesisë, trajtuam situatën aktuale në vendin tonë shkaktuar nga rrezikimi i prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në si rezultat i mos heqjes së tarifës edhe pse kërkuan pareshtur si aleati yni dhe problemin që sot ka lind me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje të ministrit Veliu. Sot në mbledhje e diskutuam dhe kemi vendosur që LDK’ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për të rrëzuar Qeverinë Kurti”, tha ai.
I pari i LDK-së është shprehur se VV-ja, ka shkelur në disa pika marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Gjatë ditës së sotme kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e shkarkoi Agim Veliun nga pozita e ministrit, me arsyetimin se gjatë një interviste të mbrëmshme ka shpërndarë panik rreth koronavirusit.
LDK-ja dhe Vetëvendosje kanë vetëm një muaj e gjysmë që janë në koalicion./Gazeta Sinjali/