Disa burime diplomatike të Bashkimit Evropian thonë se “Franca ka dhënë sinjale”, se pas zgjedhjeve parlamentare në këtë vend, që do të mbahen më 19 qershor, “mund të mos e kundërshtojë më vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
Marrë parasysh se ky vend ka qenë kundërshtari më i madh në BE i liberalizimit të vizave për Kosovën, sinjalet prej tij shihen si shenja optimiste se heqja e vizave për kosovarët do të ndodhë “shpejt”.
“Në nivelin e grupeve punuese dhe në nivele teknike në Këshillin e BE-së, ne nuk kemi parë ndonjë lëvizje akoma në drejtim të vendimit për liberalizimin e vizave. Por, kemi parë, kohëve të fundit, rritjen e gatishmërisë për këtë në nivel politik. Ka angazhim në nivel shumë të lartë politik dhe kjo jep shpresë”, thotë një diplomat i BE-së.
“Kur të ketë pajtueshmëri dhe gatishmëri në nivelin më të lartë politik, atëherë puna në nivel teknik dhe procedural mund të ndodhë shumë shpejt”, shton ai.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.
Qeveria e Kosovës thotë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.
Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.
Sipas burimeve diplomatike, Franca ka kërkuar më shumë garanci se, në rast të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, nuk do të ketë keqpërdorime dhe nuk do të ketë ardhje të azilkërkuesve të rrejshëm në vendet e BE-së – siç ka ndodhur me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë.
Burimet diplomatike në Bruksel thonë se Kosova është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me autoritetet e Francës, për t’i adresuar shqetësimet e këtij shteti dhe se kjo mund të ketë pasur, po ashtu, ndikim pozitiv.
Një prej elementeve të rëndësishme, thonë burimet në BE, është edhe mbështetja publike që liberalizimit të vizave për Kosovën i ka dhënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Kosovë, javën e kaluar.
Kjo çështje mund të përmendet edhe në samitin e BE-së, që zhvillon punimet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, edhe pse vendimi nuk merret në këtë nivel të lartë, por nga Këshilli i BE-së.
Rikujtimin se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar dhe se duhet të ndodhë pa vonesa e ka bërë të martën edhe Parlamenti Evropian përmes raportit për Kosovën, i cili është miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të BE-së.
Në këtë raport është kërkuar nga vendet anëtare në Këshill që “me urgjencë” të ecin drejt miratimit të regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës dhe është thënë se vonesat e reja në këtë drejtim, do të dëmtojnë besueshmërinë e BE-së dhe reputacionin e saj si partner i besueshëm.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka qenë më e drejtpërdrejtë në kritika, duke bërë me gisht kah Franca dhe Holanda.
“Për fat të keq, Bashkimi Evropian ka dështuar t’i përmbushë premtimet e veta për të mundësuar lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë vërtet shpresoj se ky do të jetë raporti i fundit, i cili përmend këtë dështim. Sa i përket Këshillit – dhe në këtë drejtim dua t’i drejtohem direkt Francës dhe Holandës – koha për miratimin e vendimit është tash”, ka thënë von Cramon.
Edhe pse pranojnë se “po krijohet një moment i duhur politik për liberalizimin e vizave për Kosovën”, burimet në BE tërheqin vërejtjen se “nuk mund të thuhet në këtë moment se kur do të mund të merrej vendimi”.
Në kohën kur kanë mbetur vetëm dy javë deri te përfundimi i kryesimit të Francës me BE-në, gjasat janë që ky vendim të hyjë në procedurë gjatë presidencës së Çekisë, e cila nis nga 1 korriku.