Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se brenda 180 ditëve, qytetarëve të Kosovës u lejohet të qëndrojnë në Evropë 90 ditë, pas liberalizimit të vizave nga 1 janari 2024.
Në të kundërtën, siç sqaron ai mund të hasin në probleme.
“Epo, përsëri, nëse zbulohet se i kaloni ato 90 ditë brenda gjysmë viti, në thelb, ju po qëndroni atje ilegalisht. Natyrisht, nëse shikoni vendimin për liberalizimin e vizave, nëse keni shumë njerëz që qëndrojnë më shumë se që duhet ose që nuk i respektojnë ato rregulla… duhet të dihet që liberalizimi ka të bëjë me turizmin. Pra nuk është për të punuar, nuk është për të studiuar”, ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Ekziston sistemi i informacionit i zonës Schengen. Përsëri, mund t’ju ndalohet zyrtarisht që të hyni në zonën e Schengenit deri në 10 vjet, në fakt”, ka thënë ai.
Ai ka sqaruar tutje se nuk është problem vetëm për dikë si individ në rastet kur i shkelë rregullat, por nëse ka shumë raste të njerëzve që shkelin rregullat, atëherë në fakt ky vendim për liberalizim të vizave mund të përfshijë edhe mundësinë e pezullimit të liberalizimit.
“Në thelb vendimi është për individët, dhe është e njëjta gjë për të gjitha vendet e tjera në rajon që kanë marrë liberalizimin e vizave. Për shembull, ju keni këtë mundësi që nëse keni shumë njerëz që shkelin rregullat, mund të çojë deri te pezullimi i përgjithshëm. Por përsëri, ka disa gjëra për të cilat njerëzit duhet të ndërgjegjësohen dhe duhet të jenë të kujdesshëm sepse mund të lëndojnë jo vetëm veten e tyre, por edhe Kosovën si tërësi”, ka thënë Szunyog në emisionin “Kallxo Përnime”.