image Liberalizimi i vizave, Holanda propozoi komision për të parë plotësimin e kritereve të Kosovës

Kosovë

Liberalizimi i vizave, Holanda propozoi komision për të parë plotësimin e kritereve të Kosovës

news image

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, zvarritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën e ka quajtur mungesë vizioni dhe lidershipi të Bashkimit Evropian.

Shefja e diplomacisë kosovare gjatë raportimit të sotëm në Komisionin për Integrime Evropiane, tha se vendi ka plotësuar dhe tejkaluar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Sipas saj, Kosovës po iu bëhet e padrejtë nga evropianët.

Haradinaj-Stublla para të zgjedhurve të popullit foli edhe për vizitën e saj në Holandë, vend skeptik ky për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se aty nuk i është shprehur një shqetësim i saktë për hezitimin, por kanë propozuar një komision të përbashkët ndërmjet dy vendeve për të parë plotësimin e kritereve të Kosovës.

Të njëjtën gjë, ministrja tha se bashkë me kryeministrin Hoti ia kanë propozuar shtetit tjetër skeptik për liberalizim të vizave, Francës.

“Është mungesë vizioni dhe lidershipi i BE-së që mos të jap përgjigje për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kriteret janë plotësuar dhe tejkaluar e mirëmbajtur. Jemi në gjendje me punu me gjithë shtetet skeptike për t’i bindur për liberalizim të vizave. Për katër muaj kam arritur me i mbulu ose me diskutu virtualisht me ministrat e jashtëm të BE-së. Shumica prej tyre janë përkrahëse, e kemi presidencën gjermane e cila është duke angazhuar. Homologu holandez nuk ka shpreh shqetësim të saktë për mospërkrahje të liberalizimit të vizave”, tha ajo. /Gazeta Sinjali/