image Lëvizje në kohë trazirash, Trumpi merr vendimin, e emëron një sekretar të Sigurisë Kombëtare

Botë

Lëvizje në kohë trazirash, Trumpi merr vendimin, e emëron një sekretar të Sigurisë Kombëtare

news image

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën se do ta emëronte Chad Wolf si sekretar të Sigurisë Kombëtare. Ai aktualisht është sekretar në detyrë i këtij departamenti.

“Kam kënaqësinë t’i informoj amerikanët se sekretari në detyrë, Chad Wolf do të emërohet sekretar i Sigurisë Kombëtare”, shkroi Trump në Twitter. “Chad ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe ne e vlerësojmë sherbimin e tij”.

Wolf ka shërbyer si sekretar i përkohshëm për gati një vit.

“Kam nderin që emërohem nga presidenti Trump për të udhëhequr burrat dhe gratë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare në mbrojtjen e popullit amerikan”, tha Wolf përmes një deklaratë. “Ndërsa vendi përballet me kërcënime në rritje nga katastrofat natyrore, oportunistët e dhunshëm, aktorët keqdashës kibernetikë dhe organizata kriminale ndërkombëtare, misioni i Departamentit të Sigurisë Kombëtare është po aq kritik”.

Wolf u emërua si sekretar në detyrë nëntorin e vitit 2019, një muaj pasi pararendësi Kevin McAleenan dha dorëheqjen nga posti, kur kishte vetëm gjashtë muaj si sekretar në detyrë. McAleenan mori detyrën në prill të vitit 2019 pasi sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kirstjen Nielsen dha dorëheqjen pas një mosmarrëveshje rreth politikës kufitare amerikane me Meksikën.

Njoftimi i Trump të martën erdhi disa ditë pasi një agjenci e Kongresit që vëzhgon funksionimin e qeverisë tha se emërimet e dy drejtuesve, Wolf dhe McAleenan ishin bërë në shkelje të rregulloreve, shkruan VOA.

Zyra për Llogaridhënien e Qeverisë (GAO) në një raport më 14 gusht tha se të dy drejtuesit ishin të papërshtatshëm për të shërbyer sepse Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) nuk ndoqi procedurën e hierarkisë drejtuese të institucionit bazuar në ligjin federal pasi dha dorëheqjen Nielsen. GAO ofron të dhëna jopartiake para Kongresit.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare kërkoi që Zyra për Llogaridhënien e Qeverisë (GAO) të heqë dorë nga vendimi jo detyrues, duke e quajtur “thelbësisht të gabuar”, por GAO refuzoi.

“DHS nuk ka demostruar që vendimi ynë i mëparshëm përmban gabime faktike apo ligjore, por as nuk ka ofruar të dhëna që nuk janë shqyrtuar më parë që justifikojnë ndryshimin ose modifikimin e vendimit tonë”, shkroi drejtuesi i Zyrës për Llogaridhënien e Qeverisë Thomas Armstrong.

Përveç polemikave që lindën nga emërimi i tij si sekretar në detyrë, Wolf është kritikuar për dislokimin e kohëve të fundit të trupave federale të rendit në qytetet amerikane përballë protestuesve të mbledhur kundër racizmit dhe dhunës policore. Protestat në disa raste u shoqëruan me dëmtime prone e akte vandalizmi.

Wolf është zyrtari i pestë që shërben si sekretar në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare nën presidentin Trump. Emërimi i tij, i cili kërkon konfirmim nga Senati përballet me kundërshtim të fortë. Senatorja Kamala Harris, e emëruara demokrate për postin e zëvendëspresidentes shërben në komisionin e Senatit që do të mbajë seancën dëgjimore për Wolf.

Wolf do të shkojë në Teksas të enjten për të festuar përfundimin e një segmenti prej 484 kilometrash në murin kufitar. /Gazeta Sinjali