image Lëvizje brenda Policisë së Kosovës, 27 policë të arrestuar

Kosovë

6 mujori/ Lëvizje brenda Policisë së Kosovës, 27 policë të arrestuar

news image

27 zyrtarë policorë janë arrestuar vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 40 të tjerë janë suspenduar, ndërsa për gjashtë të tjerë është parë i domosdoshëm transferimi. Kështu thonë zyrtarë nga Inspektorati Policor i Kosovës, ku sipas tyre ka pasur shtim të numrit të zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij viti.

Gjatë muajit gusht, Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar kallëzim penal nga Inspektorati Policor ndaj 22 zyrtarëve të policisë së vendit, për rastin e njohur si “Gylenistët”. 

Ani pse në këtë rast ka pasur të përfshirë edhe zyrtarë të institucioneve të tjera, Kushtrim Hodaj, udhëheqës i Departamentit për Çështje Ligjore, Bashkëpunim dhe Informim në IPK, thotë se si IPK kanë autoritet dhe autorizim ligjor që ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë e policisë.

Në lidhje me këtë Hodaj thotë se aktualisht janë duke trajtuar 154 raste, të regjistruara si raste penale gjatë këtij viti.

Sipas tij, gjatë gjashtëmujorit të parë, janë regjistruar 637 ankesa nga qytetarët për zyrtarët policorë, e që shumica prej tyre janë për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës së tyre zyrtare, e po ashtu edhe për shkaktim të lëndimeve trupore gjatë arrestimit.

Hodaj për KosovaPress thotë se  ka pasur rritje të numrit të policëve të arrestuar, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, e që kryesisht janë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke përmendur kështu edhe arrestimin e policëve në rastin e kontrabandës në veri të Mitrovicës.

Ndryshe, gjatë vitit 2018 sipas IPK-së janë pranuar 1419 ankesa dhe informata, janë arrestuar 12 persona, 50 janë suspenduar, ndërkaq 10 janë transferuar.