Lëvizja për Bashkim e konsideron si drakonik dënimin prej 26 vjet burg të Salih Mustafës nga Gjykata Speciale.
Nëpërmjet një kumtese për media, kjo parti konsideron se kjo gjykatë nuk do të ndajë drejtësi, por do të shpallë vetëm vendime politike.
“Që nga mënyra e krijimit, nga presioni i jashtëzakonshëm ndërkombëtar mbi institucionet e Kosovës dhe mbi përfaqësues të saj, nga kërcënimi publik se ‘nëse nuk e formojmë ne, e formon Rusia në kuadër të OKB-së’, deri te qëllimi i hapur i saj (‘të dy palët fajtore’ dhe ‘pajtimi i palëve’), ka qenë e qartë se kjo gjykatë nuk do të ndajë drejtësi, por do të shpallë vetëm vendime politike. Kjo edhe ndodhi sot”.
Tutje, Lëvizja për Bashkim thotë se mbesin të palëkundur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.
“Lëvizja për Bashkim, pa asnjë luhatje, që nga fillimi ka qenë kundër krijimit të kësaj gjykate, e veçanërisht jo para se ta marrë dënimin e merituar agresori dhe mekanizmat e tij, të cilët janë përgjegjës për shumë masakra të tmerrshme në Kosovë dhe për mijëra dhunime e për shkretimin e plotë të Kosovës. Lëvizja për Bashkim mbetet e paluhatur dhe e bindur thellë se, pavarësisht përpjekjeve të Serbisë e të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për ta njollosur atë, lufta jonë ka qenë e drejtë e çlirimtare”, thuhet në kumtesën e partisë.