Nesër, rreth orës 10:00, para objektit të Kuvendit të Kosovës, do të protestohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës, të cilët do të shprehin pakënaqësitë e tyre.
Këtë protestë do ta mbështesë Lëvizja për Bashkim, të cilët kanë shfaqur vullnet të jenë pjesë e saj, shkruan Gazeta Sinjali.
Lëvizja për Bashkim thonë se janë të bindur se këndvështrimi i “mbrapshtë se kategoritë e dala nga lufta janë barrë për shoqërinë është antinjerëzor e antikombëtar“.
“LB e bindur në drejtësinë e kësaj çështjeje, të ngritur nga OVL e UÇK-së, ka vendosur që ta mbështes protestën dhe do të marr pjesë aktivenë të.Me projektligjin e Qeverisë së Kosovës, i cili do të shqyrtohet të hënën në Kuvendin e Kosovës, parashihet që të rrëzohet ligji aktual që e lidh pensionin e veteranit me pagën minimale, (edhe ashtu ka qenë pension shumë i vogël, 170 euro), pra të mos ketë rritje për këtë kategori ashtu siç parasheh projektligji për pagën minimale”, thuhet në deklaratën e LB-së.
Kjo lëvizje ka ftuar të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë protestë, duke shtuar se nuk duhet të lejohet që kategoritë më meritore të lirisë, të shndërrohen në kategori sociale.
“Lëvizja për Bashkim fton që jo vetëm veteranët, por të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës dhe të mos lejojmë që kategoritë më meritore për lirinë që po e gëzojmë të na shndërrohet në kategori sociale! Jo diskriminimit të mëtutjeshëm të luftëtarëve të lirisë. Të gjithë në protestë në mbrojtje të njerëzve më meritorë për lirinë që po e gëzojmë“, thuhet në deklaratë.