image Lejimi i transportit urban dhe ndërurban, MSH dhe kompanitë e transportit nuk kuptohen mes vete

Kosovë

Lejimi i transportit urban dhe ndërurban, MSH dhe kompanitë e transportit nuk kuptohen mes vete

news image

Ka lindur një keqkuptim ndërmjet kompanive të transportit urban e ndërurban dhe Ministrisë së Shëndetësisë, kur nesër është paraparë të lejohet transporti i udhëtarëve.

Të kontaktuara nga Gazeta Sinjali, nga disa kompani transportuese janë shprehur se transporti i udhëtarëve do të nis nga 1 qershori, dhe se nga nesër është i lejuar vetëm transporti i organizuar i punëtorëve që bëhet nga vetë kompanitë, kryesisht ato të ndërtimit.

Ndërkohë, version krejt tjetër ka Ministria e Shëndetësisë. Mirsad Shkreta nga kjo ministri i ka thënë Gazetës Sinjali se trafiku urban dhe ndërurban nga nesër lejohet si veprimtari dhe se nuk është i vërtetë versioni i kompanive.

“Jo jo, nga nesër lejohet trafiku urban dhe ndërurban. Ne e kemi leju si veprimtari. Është në kompetencat e komunës organizimi. Në qoftë se janë ndërmarrje lokale, p.sh. kur flitet për urbanin”, ka thënë Shkreta.

Ai thotë se kompanitë duhet të aplikojnë për leje dhe t’i marrin masat për të cilat thotë se janë të udhëzuara.

“Duhet t’ua sqaroni këtë. Ata duhet të aplikojnë në ministrinë gjegjëse, mirëpo Ministria e Shëndetësisë e cila ka qenë bartëse e luftimit të COVID-19, e ka leju tashmë përdorimin e transportit urban dhe ndërurban dhe tash ata duhet ta rregullojnë me aplikimet e tyre, sepse lirohen vetëm ato kompani të cilat i plotësojnë kriteret në bazë të udhëzimit i cili është në fuqi e që nënkupton masat që duhet t’i ndërmarrin për dezinfektim e kështu me radhë”, është shprehur Shkreta.

Në fund, ai ka ritheksuar se “si Ministri e Shëndetësisë kemi dhënë dritën e gjelbër për funksionimin e transportit urban dhe ndërurban”. /Gazeta Sinjali/