Eddie Van Halen vuan nga kanceri i fytit, të cilin beson se e ka si pasojë e thithjes së vazhdueshme të dridhëses metalike të kitarës ndër vite.
Rokeri 64 vjeçar është diagnostikuar me këtë sëmundje para afro dy dekadash, ndërsa ka udhëtuar vazhdimisht nga SHBA-të drejt Gjermanisë për t’u trajtuar – bën të ditur TMZ.
Në vitin 2000, atij i është hequr një e treta e gjuhës, ndërsa në vitin 2002 nuk kishte pasur qeliza kanceroze. Por, sëmundja i është kthyer dhe në pesë vitet e fundit është mjekuar në Gjermani me rrezatim.
Kitaristi i grupit legjendar “Van Halen” ka konsumuar shumë duhan, megjithatë për diagnozën e tij e fajëson mbajtjen në gojë të dridhëses së kitarës për vite të tëra në skenë.
Në vitin 2015, Eddie kishte thënë për Billboard se ka shfrytëzuar dridhëse metalike, nga bronzi dhe bakri, të cilat gjatë gjithë kohës i ka mbajtur në gojë – pikërisht në vendin ku ia kishte nisur kanceri në gjuhë.
Njëherësh, ai thuajse ka jetuar në studion e grupit të mbushur me energji elektromagnetike. Kjo është një teori duke përfshirë edhe konsumimin e duhanit dhe drogave, edhe pse në mushkëri nuk ka pasur qeliza kanceroze.
Për shkak të gjendjes shëndetësore të tij, grupi “Van Halen” (që përbëhet nga Eddie, vëllai i tij Alex Van Halen që luan në bateri, këngëtari David Lee Roth dhe djali i Eddiet, Wolfgang Van Halen, i cili luan në bas kitarë) që nga viti 2015 nuk ka mbajtur koncerte.