Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi që në mbledhjen e sotme propozoi emrat për Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas LDK-së, me këtë propozim, qeveria kapi edhe këtë bord, ndonëse kishte paralajmëruar shuarjen e tij.
Nga ky subjekt politik pretendojnë se tre nga emrat e propozuar nga qeveria janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Paralajmëruan shuarjen, kapën Bordin e AKP-së me militantë partiak. Sot, Qeveria e Vetëvendosjes, në vazhdën e kapjes së institucioneve të pavarura, kapi me militantë partiakë edhe Bordin e AKP-së; të njëjtit institucion që ia paralajmëruan shuarjen.”
“Në vend të shuarjes, gjithsesi, vendosën në Bord të ri, këtë herë militantë partiakë. Së paku tre anëtarë të rinj të Bordit janë anëtarë partiak të Qeverisë së Vetëvendosjes; dy nga të cilët ish kandidatë për deputetë; të cilët kishin dështuar paraprakisht të zgjedhen”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
LDK vlerëson se kjo logjikë e politizimit është e paligjshme dhe moralisht e gabueshme.
“Një praktikë e tillë ndaj agjencive ligjërisht të pavarura është praktikë tashmë e zakonshme e Qeverisë populliste që kapjen dhe nepotizmin e ka shndërruar në kauzë”, thuhet tutje në këtë reagim.
Kjo parti ka ftuar Kuvendin e Kosovës që të refuzojë “kapjen”, ndërsa u ka bërë apel mediave dhe shoqërisë civile që të ngrisin zërin kundër dukurive të tilla./Gazeta Sinjali/