image LDK reagon pas refuzimit të gazpërçuesit amerikan

Politikë

LDK reagon pas refuzimit të gazpërçuesit amerikan

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës ka refuzuar gazpërçuesin amerikan i cili ishte paraparë të kalonte nëpër territorin e Kosovës.

LDK e ka quajtur paranoizëm të pashpjegueshëm politik krahasimin me gazin rus.

Në komunikatën për medie, LDK ka thënë që Kosova, me refuzimin e gazpërçuesit amerikan, ka refuzuar edhe 200 milionë dollarë.

“Sot, Qeveria e Kosovës refuzoi projektin më gjeostrategjik amerikan në Ballkan, atë të gazpërçuesit, që do t’i siguronte shtetit tonë furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik”, shkruhet në reagim.

“Përveç se, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant – fonde falë – për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë”, thuhet tutje në komunikatë.

Një hap i gabuar strategjik. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”, thuhet në fund të komunikatës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë tutje me projektin për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut, projekt ky i përkrahur nga MCC-ja amerikane.

/GazetaSinjali/