Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën kanë akuzuar Qeverinë se ka lënë 1 mijë punëtorë shëndetësorë, pa punë.
Anëtari i kësaj partie Ardian Shala tha para mediave, se qeveria u ka ndërprerë kontratat punëtorëve shëndetësorë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Qeveria ka ndërprerë kontratën e 1 mijë punëtorëve shëndetësorë duke i lënë pa paga ata dhe familjet e tyre. Mungesa e infermierëve është e qartë në çdo klinikë“, tha Shala.
Mes tjerash, Shala u shpreh se mos hapja e konkurseve për specializim, do ta shtojë mungesën e stafit shëndetësorë dhe ikjen e mjekëve drejt vendeve të Evropës.
“Dukuria e ikjes së mjekëve është evidente dhe shumë katedra do të pushojnë së ekzistuari. Mungesa e specializimeve që dy vite do ta bëjë procesin e mungesës së punonjësve shëndetësore edhe më shumë. Kjo vërehet në të gjitha komunat si pasojë e mungesës së stafit shëndetësor“, tha Shala.