Dega e Lidhjes Demokratike në Vushtrri ka larguar tre asamblistë nga partia. Ata janë Agron Perçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku, raporton Gazeta Sinjali.
LDK përmes një njoftimi për media ka thënë se arsyeja është mbështetja që ata i dhanë PDK-së për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit.
“Tradhëtarët u vetdemaskuan në këto dy mbledhje të Kuvendit të Komunës. Prandaj, për të gjithë aktivistët e devotshëm të LDK-së në Vushtrri tashmë është e qartë që këta tre persona për qëllime përfitimi personal e kanë tradhtuar besimin e elektoratit dhe aktivistëve të LDK-së duke dëmtuar rëndë LDK-në, madje me veprimet tinëzare të tyre edhe gjatë fushatës elektorale duke ia dhuruar PDK-së fitoren e pamerituar në Vushtrri”, thuhet në komunikatë të LDK-së.
“Për z. Idrizin e sekserët e tij politikë, që blejnë e tregëtojnë me vota asambleistësh, ju themi që janë të humbur, qeverisja juaj është e paaftë dhe pa vizion për qytetin e Vushtrrisë. Pushteti me vota të manipuliara nuk mundet të caktojë përfaqësuesit e opozitës në KPF, është praktikë jodemokratike e paparë dhe e padëgjuar në historinë institucionale të Kosovës”.