Pas përfundimit të takimit në Bruksel mes kryeminsitrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK ka theksuar se Kurtit tash i ka mbetur vetëm që ta dakordojë datën e themelimit të Asociacionit.
LDK ka deklaruar se u vërtetuan brengat e saj, duke theksuar se marrëveshja nuk është finale e as nuk përmban njohjen e ndërsjellë.
“Sonte në Bruksel, kryeministri i Kosovës u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike. Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve”, thuhet në reagim.
Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë, thuhet tutje. LDK thekson se dokumenti parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake, përfshirë Asociacionin si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe.
“Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët. Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
LDK ka konsideruar se menaxhimi tërësisht i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme.
“Përfundimi në mes të zgjedhjes së në marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij kryeministri”, thuhet në fund.