image LDK: Me 100 euro nuk mund të mbulohet nepotizmi, shkelja e Kushtetutës e afera “super pronto” në KEK

Politikë

LDK: Me 100 euro nuk mund të mbulohet nepotizmi, shkelja e Kushtetutës e afera “super pronto” në KEK

news image

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik e atij privat.

Përmes një konference për medie, Mustafa tha se Qeveria po u shpërndan lëmoshë qytetarëve dhe nuk po vepron siç duhet, pasi nga 100 euro do t’i ndahen si milionerit ashtu edhe pensionerit, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, 100 euro nuk mund t’i mbulojnë skandalet e Qeverisë, duke përmendur nepotizmin, shkeljen e Kushtetutës e raportimet për punësimet masive partiake në KEK.

 “Kjo Qeveri po u shpërndan qytetarëve lëmoshë në mungesë të vizionit e zhvillimit ekonomik. Kjo Qeveri është vonuar, nuk është zgjidhje. Ne si LDK për muaj të tërë u kemi ofruar Qeverisë veprime. Ky vendim i Qeverisë është në formë lëmoshe. Mbi kurrizin e çmimeve të lartë, Qeveria ka vendosur t’u ndajë disa prej qytetarëve lëmoshë. Qeveria po i ndan 100 euro milionerit e 100 euro pensionerit. I rikujtojmë Qeverisë që qytetarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik afatgjatë e jo për lëmosha të asistencës sociale. Me 100 euro politike nuk mund të mbulohet nepotizmi, shkelja e Kushtetutës apo afera super pronto në KEK. Pra, me 100 euro politike nuk mund të fshihet paaftësia”, ka thënë Mustafa.

Deputeti i LDK-së ka thënë se ata pajtohen me rritjen e pagës minimale në Kosovë, por “që duhet të jetë në pajtim me të gjitha institucionet e të të gjithë akterëve”.

Ndryshe, sipas vendimit të Qeverisë, ata që përfitojnë nga skemat sociale, punëtorët e sektorit privat dhe publik dhe studentët do të përfitojnë nga 100 euro shtesë.

Pensionistët këtë shtesë do ta marrin qysh në muajin prill, ndërsa për kategoritë tjera do të duhet pak më shumë kohë, siç ka thënë në konferencën e sotme për shtyp ministri i Financave, Hekuran Murati.

/GazetaSinjali/