Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se ende nuk është arritur një marrëveshje mes Lidhjes Demokratike të Kosovës për Junikun, mirëpo sipas tyre të dy partitë janë ende në diskutime, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu ka thënë për Sinjalin sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
“Ka diskutime, por jo marrëveshje”, tha shkurtimisht Manxhuka.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga kandidati i LVV-së për Junikun, Besart Tofaj, në një postim në Facebook.
“Në takim u shpreh vullneti për bashkëpunim në balotazh. Pra, për një marrëveshje të mundshme në raundin e dytë për kryetar komune”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu ka thënë se është bërë koalicioni LDK-LVV në këtë komunë.
Shehu përmes një postimi në Facebook tha se ditëve në vijim do të publikojnë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025.
“LDK Dega në Junik dhe LVV Qendra në Junik, kanë nënshkruar marëveshje të bashkëpunimit mes tyre. Ditëve në vijim do të publikojmë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025, të cilin do e realizojmë deri në fund brenda mandatit tonë të parë qeverisës”, ka shkruar Shehu.