Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj e Besian Mustafa në mesditë do t’i drejtohen gjykatës Kushtetuese të Kosovës e ku do të deponojnë një ligj që para pak ditësh është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Bëhet fjalë për ligjin për masat e përkohëshme të produkteve themelore.
“Sot (e Mërkurë), më datë 16 nëntor 2022, në orën 14:30, Deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së z.Driton Selmanaj dhe z.Besian Mustafa, dorëzojnë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin nr.08/L-179 për masat e përkohëshme të produkteve themelore në raste të vecanta të destabilizimit në treg. Deputetët në fjalë do të flasin para medieve tek hyrja e Gjykatës Kushtetuese”, kanë bërë të ditur përmes një komunikate.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës miratoi më 8 nëntor ligjin për masat e përkohshme të produkteve bazë, në raste të destabilizimit të tregut.
Ky ligj kaloi me 64 vota pro, asnjë kundër e asnjë asbtenim.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, javën e kaluar tha për Gazetën Sinjali se ky ligj është anti-Kushtetues përmes të cilit do të dëmtohen ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, duke shtuar se ekonomia e tregut të lirë nuk toleron caktim të çmimeve.