image LDK del me pesë pika pas mbledhjes së kryesisë, i jep mbështetje Abdixhikut

Politikë

LDK del me pesë pika pas mbledhjes së kryesisë, i jep mbështetje Abdixhikut

news image

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë me pesë përfundime pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore, ku janë diskutuar rezultati i fundit zgjedhor, zhvillimet e brendshme në parti dhe situata aktuale politike në vend.

Në komunikatën e publikuar pas takimit, LDK ka vlerësuar angazhimin e strukturave, kandidatëve, aktivistëve dhe anëtarësisë gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se rritja e shënuar në zgjedhje përbën një rezultat pozitiv, por nuk është e mjaftueshme për realizimin e synimeve politike të partisë.

“Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, përgjegjësia për adresimin e mangësive dhe shndërrimin e kësaj rritjeje në mbështetje më të madhe qytetare u takon të gjitha niveleve drejtuese dhe organizative të partisë.

Kryesia Qendrore ka shprehur mbështetje për kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit të tij për udhëheqjen e proceseve politike dhe organizative, si dhe në procesin e formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës përmes diskutimeve me partitë e tjera parlamentare.

“Mbështetja për kryetarin Abdixhiku vjen në kuadër të mandatit të tij për udhëheqjen e proceseve politike dhe organizative të LDK-së”, është bërë e ditur në komunikatë.

LDK ka theksuar gjithashtu se zgjedhjet e brendshme të partisë do të mbahen në afatin e rregullt, duke kundërshtuar çdo përpjekje për trajtimin e çështjeve jashtë mekanizmave të përcaktuar me statut.

“LDK i ka institucionet, Statutin dhe mekanizmat e saj demokratikë. Çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të plotë të institucioneve partiake dhe të vullnetit të lirë të anëtarësisë”, ka deklaruar Kryesia.

Në përfundim, LDK u ka bërë thirrje anëtarëve dhe strukturave të saj që angazhimin ta përqendrojnë në forcimin e partisë dhe rritjen e besimit qytetar, duke theksuar nevojën për një LDK “të bashkuar, të qëndrueshme dhe të përqendruar në ofrimin e alternativës së saj politike”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/