Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi ka paralajmëruar se në rast se situata me pandeminë vazhdon të përkeqësohet, do të mbyllen tërësisht shkollat.
“Po t’i kishim mbyllur shkollat sot kishte me qenë problem jashtëzakonisht i madh. Ua kemi lënë shkollave që ata me vendosë a me shku online a mos me shku. Jam shumë i vetëdijshëm për shëndetin mendor të fëmijëve dhe se nëse mbyllim shkollat, ekonomia ka me pësu jashtëzakonisht shumë për shkak të prindërve që duhet të kujdesen për fëmijët. Nëse nesër na përkeqësohet gjendja, kemi me i mbyllë shkollat për një kohë të caktuar”, ka thënë Latifi.
I pyetur rreth masave të vendosura për ata që hyjnë në Kosovë, ku kërkohen tri doza të vaksinës antiCOVID, ai ka thënë se ata nuk i kanë kërkuar tri doza atyre që hyjnë në Kosovë, por që sipas tij, nëse ata i kanë tri doza, nuk kanë nevojë për asnjë dëshmi tjetër.
“Asnjëherë Ministria e Shëndetësisë as Qeveria e Kosovës nuk ka thënë se duhesh me i pas tri doza për me hy në Kosovë, por nëse i ke tri doza nuk ke nevojë për kurrgjë tjetër. Për çdo të enjte mbahet Komiteti për vlerësimin e gjendjes, nga instituti e të gjitha spitalet ne i marrim të dhënat dhe e vlerësojmë gjendjen dy herë në ditë,”, ka theksuar ai. /GazetaSinjali/