Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, dhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit për planin e vizitave mjekësore në shtëpi.
Sipas njoftimit të MSh-së, programi i vizitave në shtëpi për shëndetin dhe mirëqenien e nënës dhe fëmijës ka filluar të zbatohet në Kosovë në vitin 2014.
“Aktualisht ky program është i integruar në sistemin e Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe zbatohet në 22 komuna të vendit. Programi i vizitave në shtëpi ka për qëllim përmirësimin e qasjes në shërbime të Kujdesit Parësor Shëndetësor për gratë shtatzëna, fëmijët nën 3 vjeç dhe prindërit e tyre, veçanërisht për familjet e cenueshme”.
“Ministri, Latifi dhe Zicherman vlerësuan se objektiv është zgjerimi i këtij programi në të gjitha komunat e Kosovës, me qëllim që përmes mjekëve dhe infermierëve të trajnuar, të ofrohen shërbime shëndetësore të integruara dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët dhe gratë shtatzëna gjatë vizitave mjekësore në shtëpi, ndërkohë që u pajtuan të zgjerojnë mundësitë e bashkëpunimit edhe në projekte të tjera në dobi të të gjitha komuniteteve në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Programi i vizitave mjekësore në shtëpi zbatohet nga MSh-ja dhe Kujdesi Parësor Shëndetësor, me përkrahjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përmes fondeve të Qeverisë së Luksemburgut./GazetaSinjali/