Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se është lansuar Fondi për Garanci Kreditore, fond ky që kap vlerën rreh 60 milionë euro dhe që do të ofrohet si mbështetje për ndërmarrjet private e ato publike në sektor të ndryshëm, shkruan Gazeta Sinjali.
Hoti përmes llogarisë së tij në Facebook u shpreh se ky fond do të realizohet nëpërmjet instrumenteve të reja për garanci kreditore, që sipas tij nënkupton rritjen e përqindjes së garancisë në 80%.
“Fondi për Garanci Kreditore është pjesë e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike 2020-2021. Me këtë mekanizëm krijohen lehtësi kreditore dhe rritet likuiditeti i kompanive, ndërsa në të njëjtën kohë ulet rreziku kreditor”, shkroi ai.
Tutje kreu i ekzekutivit theksoi se në këtë fond përpos Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë ofruar mbështetje edhe Banka Botërore, Banka Investive Evropiane si dhe KFW-ja gjermane.
“Bashkë me Ministren e Financave znj. Hykmete Bajrami, lidhur me këtë masë kam zhvilluar një takim virtual me përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës dhe bankave komerciale”, mbaroi Hoti. /Gazeta Sinjali/