Sektori i shëndetësisë është politizuar si mos me keq nga Partia Demoktratike e Kosovës, e cila nuk po zgjedhë mjete për të promovuar vetën si shpëtimtare të këtij sistemi, të përcjellë me vite të tëra nga keqmenaxhimi e keqpërdorimet e mëdha.
Ceremonia që u organizua dje për nënshkrimin e Listës së Re të Barnave Esenciale, tregon më së miri se deri ku mund të shkoj hipokrizia në kurriz të pacientëve-hallegjinj.
Ministri i Shëndetësisë në largim, Uran Ismaili, bashkë me shefin e tij, Kadri Veseli, e ruajtën kohën e fushatës, për të nënshkruar revidimin e kësaj liste të barnave, të cilat shteti e ka obligim t’i siguroj.
Përveç farmacistëve e punëtorëve shëndetësorë, Veseli e Ismaili, ishin përkujdesur që në këtë ceremoni të siguronin pjesëmarrjen e disa pacientëve, në mesin e tyre edhe fëmijë me sëmundje të rënda, për t’u krekosur para tyre sa u kanë gjetur ilaçin.
Uran Ismali, ministër në largim, njëherësh kandidat për deputet, i dha merita të mëdha vetës për revidimin e listës së barnave esenciale, duke e cilësuar këtë ‘akt’, si arritje të madhe në shëndetësi, anipse lista e barnave esencilale duhet të revidohet për çdo vit ose më së largu një herë në 24 muaj.
Krejt kjo ngjarje pati edhe filmime të porositura, ku Veseli e Ismaili, shihen teksa falenderohen për këtë “arritje”, nga pacientët e ftuar në ceremoni.
Disa orë pasi përfundoi kjo ngjarje, Veseli shpërndau një video në profilin e tij në Facebook, në të cilën keqpërdoret një vajzë e mitur.
Ajo është 13 vjeçare dhe vuan nga ‘fibroza cistike”.
Gjatë mandatit të Uran Ismailit, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, pacientët janë përballur me mungesë të barnave dhe gjërave më elementare për trajtim shëndetësorë. Por, revidimi i listës së barnave esenciale nuk paraqet ndonjë argument se blerjet në sektorin publik do të stabilizohen.
Nga shumë kush, qeverisja e Uran Ismailit me Ministrinë e Shëndetësisë, është cilësuar e dështuar. /Gazeta Sinjali/