Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta pres sot në takim emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë, Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas një njoftimi të presidencës serbe, takimi mbahet në orën 11:00 në ndërtesën e presidencës serbe.
Mediat në Beograd kanë raportuar se pas këtij takimi me zyrtarin evropian, Vuçiq do të vendos se kush do ta përfaqësojë Serbinë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili fillon të martën në Tiranë.
Vuçiq tha se ishte i ftuar në samit, por pasi nuk u pajtua me reagimin e BE-së për emërimin e Nenad Rashiqit për ministër në Qeverinë e Kosovës, e relativizoi shkuarjen e tij në Shqipëri dhe e paralajmëroi vendimin për fundjavë , gjë që nuk ndodhi, kështu që gjithçka u shty për të hënën.
Kësaj deklarate iu kundërpërgjigj kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili tha se Serbia do të ketë një përfaqësues në samit dhe se Vuçiq nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shkojë sepse ndryshe do të ishte fatkeqësi për Serbinë dhe për të.