image Lajçak: U takon kryenegociatorëve të arrijnë marrëveshje për targat

Politikë

Lajçak: U takon kryenegociatorëve të arrijnë marrëveshje për targat

news image

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se më 20 prill është mbajtur takimi i fundit i grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me çështjen e targave. Sipas tij, u takon kryenegociatorëve të të dyja shteteve të arrijnë një marrëveshje për këtë çështje, gjatë takimit të tyre më 21 prill.

Sot, ekspertët nga Kosova dhe Serbia u takuan për herë të fundit në kuadër të grupit punues për targat e makinave, para afatit të fundit të 21 prillit. Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak në Twitter.

Më 21 prill, në Bruksel do të takohen kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.

Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës, simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë në targa mbulohen me letër ngjitëse, u arrit më 30 shtator të vitit të kaluar, që kishte për qëllim të ulte tensionet në veri të Kosovës.

Më pas u formuan grupet punuese, të cilat deri më 21 prill duhet të paraqesin një zgjidhje të përhershme për targat “bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së”, shkruan REL.

Kosova kishte vendosur reciprocitetin për targat serbe më 20 shtator, masë e cila nënkuptonte që makinat me targa të Serbisë t’i zëvendësonin ato me targa provuese, të vlefshme për 60 ditë dhe që kushtonin pesë euro. Me masë të ngjashme, makinat nga Kosova ishin përballur për një dekadë.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të arrijnë kompromis për çështjen e targave.

/GazetaSinjali/