I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, tha se takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë, ishte “konstruktiv, i rëndësishëm dhe shumë i frytshëm”.
Pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore është që të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian, për të cilin palët u pajtuan gjatë takimit të 27 shkurtit, në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes.
“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst. Unë do të jem në Beograd të hënën dhe të martën me të njëjtin qëllim, që të dëgjojmë nga Serbia se si e shohin zbatimin e atij dokumenti”, tha Lajçak.
“Ne shpresojmë se do të arrijmë të kemi një dokument për të cilin palët do të pajtohen më 18 mars në Ohër. Tash për tash është e pamundur të thuhet më shumë”, theksoi ai për gazetarët në Prishtinë.
Sipas Lajçakut, BE-ja është e përqendruar në atë që ai e quajti “hap i dytë” që ka të bëjë me finalizimin e planit të zbatimit, që tha se kur të përfundohet, do të kalohet në hapin e radhës, që është formalizimi.
“Do ta diskutojmë këtë në Ohër, por synimi është që ta finalizojmë dhe ta finalizojmë udhërrëfyesin për zbatim”, theksoi ai.
Sipas zyrtarit të lartë evropian, në këtë fazë duhet të dihen hapat dhe afatet se si do të zbatohet propozimi evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.
“Në të kundërtën, [propozimi evropian] do të jetë vetëm një dokument i obligueshëm në aspektin politik, por jo zyrtarisht i obligueshëm”, tha Lajçak.
Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë, fillimisht u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit për media, Osmani gjatë takimit tha se plani i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në frymën e “paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.
Osmani tha po ashtu se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë dhe mbetet e angazhuar në këtë proces, “ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese”, u tha në njoftimin e Presidencës.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, zyrtari i lartë evropianë do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive opozitare dhe komunitetin ndërkombëtar.
Sipas BE-së, pas qëndrimit në Kosovë, më 13 dhe 14 mars, Lajçak do të vizitojë Beogradin.
Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 8 mars, se po vazhdojnë përgatitjet për takimin në Ohër.
“Do të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit të dakorduar evropian edhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe nga efikasiteti”, tha ai.
Sipas BE-së, në Ohër, Lajçak dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiq, dhe më pas takimi trilateral do të përqendrohet në finalizimin e planit të zbatinmit të propozimit evropian.