I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ky dialog është një ndër sfidat themelore në rajon, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, përpara vetes BE-ja dhe palët e përfshira në dialog kanë një rrugë me “dredha”, e jo një autostradë.
“Dialogu vazhdon, nën udhëheqjen e BE-së. Kemi një rrugë të gjatë dhe me dredha-dredha përpara, jo një autostradë”, thotë Lajçak.
Ai në një konferencë kushtuar 25 vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit, tha se ky proces është baza e mandatit të tij dhe se qëllimi i tij është të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.
Kjo marrëveshje sipas tij do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura njëherë e përgjithmonë dhe ta harmonizojë atë me ligjet ndërkombëtare dhe vlerat evropiane.
“Do të jetë vendimtar për rrugën evropiane të të dy palëve, stabilizimin e rajonit dhe do të zhbllokojë kaq shumë për të gjithë rajonin. Ne aktualisht jemi duke diskutuar çështje të kërkesave të ndërsjella dhe pronës”, ka thënë Lajçak.
I dërguari i BE-së ka thënë se tema e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e ka stopuar dialogun Kosovë-Serbi, pasi që Serbia po përpiqet ta bëjë përsëri temë diskutimi, kurse Kosova po e konsideron këtë çështje si një temë të mbyllur, e cila do të zbatohet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes reciproke në mes dyja vendeve.
Më 15 tetor, i dërguari i posaçëm Mirosllav Lajçak ka vizituar të dyja vendet për gjetjen e një marrëveshje. Ku ai e ka propozuar si mundësi dhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës në të mirë të dialogut, por kjo është hedhur poshtë nga drejtuesit e vendit./Gazeta Sinjali/