I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për të përditshmen austriake “Wiener Zietung” ka folur për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave Serbe.
Lajçak ka treguar se tashmë palët kanë rënë dakord se çka duhet të negociojnë dhe çka duhet të përfshihet në marrëveshje.
“Ne kemi rënë dakord për atë që do të negociojmë, çfarë duhet të përfshihet në marrëveshje. Ekzistojnë tashmë propozime me tekst mbi personat e zhvendosur dhe të zhdukur dhe bashkëpunimin ekonomik. Por edhe këtu zbatohet parimi: asgjë nuk është rënë dakord derisa gjithçka të jetë rënë dakord. Ekzistojnë çështje shumë komplekse për të cilat ne po diskutojmë aktualisht: përfshirë pretendimet financiare, kërkesat pronësore. Një sfidë tjetër është marrëveshja për asocimin e komunave serbe në Kosovë. Palët tashmë ranë dakord për këtë në 2013/2015, por asnjëherë nuk u zbatua”, u shpreh ai.
Tutje, i dërguari i BE-së kritikoi politikanët kosovarë që po thonë se nuk është koha e duhur që të flitet për Asociacionin e Komunave Serbe. Ai kërkoi zbatimit të kësaj marrëveshjeje, pasi tha se vetë Kosova e ka nënshkruar.
“Është një çështje shumë e ndjeshme për të cilën ka folur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës – dhe ky mendim duhet të merret parasysh. Por ata që kundërshtojnë se tani nuk është koha e duhur për të, unë pyes: ‘Kur, nëse jo tani? Ju e nënshkruat vetë këtë marrëveshje’. Ky është procesi dhe koha është e duhur. Qëllimi ynë është një marrëveshje që rregullon të gjitha pikat e hapura ose ende të pa adresuara. Me miratimin në 2013/2015 vjen detyrimi për ta zbatuar atë. Asnjë çështje për të cilën ne negociojmë nuk është e lehtë. Por nëse e ndërpresim përsëri dialogun, do të na duhet ta rifillojmë”, tha Lajçak./Gazeta Sinjali/