I Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se agresioni rus ka krijuar një urgjencë të re për të vepruar në Ukrainë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Nga Forumi Ekonomik Delphi në Greqi, Lajçak ka thënë se “gjithmonë e kemi ditur që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Evropa”.
Ai ka thënë se e gjitha që duhet të bëhet tani, është që ky momentum të kthehet në rezultat konkret.
“Gjithmonë e kemi ditur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Evropa. Agresioni rus në Ukrainë ka krijuar një urgjencë të re për të vepruar, si për Ukrainën ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor. Çfarë na duhet tani, është që këtë momentum ta kthejmë në rezultat të prekshëm”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Agresioni rus në Ukrainë i ka dhënë dinamikë të re politikave të BE-së, por edhe të SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, duke ndryshuar retorikën por edhe veprimet për përshpejtimin e proceseve integruese në BE dhe NATO.
Pas ngjarjeve në Ukrainë, edhe kancelari gjerman dhe ai austriak, shprehën intencën e tyre të hapur që Ballkanin Perëndimor ta integrojnë sa më shpejtë në BE, për ta evituar ndikimin e Rusisë dhe të Kinës mbi shtetet e rajonit.